5 Maj, 2025 - 4:45 pm
Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKSHM ) ngjall frymë bashkimi përtej detit dhe kohës
Nga Shqipe Bytyqi
Hora e Arbëreshëve, maj 2025
Për disa ditë me radhë, toka e lashtë arbëreshe në Sicili u bë vatër e një përqafimi kulturor të rrallë. Nga 27 prilli deri më 2 maj, Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKSHM) hapi krahët e saj drejt arbëreshëve, duke ngjizur një ngjarje që do të kujtohet gjatë — “Pranvera Arbëreshe 2025”, me epiqendër Horën e Arbëreshëve, në një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës arbëreshe, e themeluar në fund të shekullit XV nga arbëreshët që ikën nga Shqipëria pas vdekjes së Skënderbeut dhe pushtimit osman. Hora ka ruajtur me fanatizëm gjuhën, zakonet, fenë dhe identitetin kombëtar arbëresh për më shumë se 500 vjet.
Kjo pranverë nuk solli veç lule, por edhe fjalë, këngë, kujtesë e mall. Dr. Ornela Radovicka, studiuese dhe drejtore e Qendrës Albanologjike në Kalabri, ishte zemra rrahëse e këtyre ditëve, bashkë me gazetarin Rexhep Rifati, që prej vitesh punojnë për të forcuar fijet e gjuhës dhe identitetit arbëresh.
Mbrëmja e parë letraro-muzikore, më 28 prill, ishte si një ritual i ringjalljes shpirtërore. Nën dritat e sallës, Mario Calivà dhe Pierpaolo Petta — dy zëra të rinj të kulturës arbëreshe — sollën magjinë e fjalës dhe tingullit. Të pranishmit nga Kosova, Maqedonia e Veriut e diaspora shqiptare përjetuan çaste emocionesh që luhateshin mes gëzimit, mallëngjimit dhe lotëve.
Më 29 prill, me lule në duar e përulje në zemër, pjesëmarrësit bënë homazhe pranë shtatores së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Vizitat në biblioteka, muze, katedrale dhe shkëmbimet e librave mes krijuesve nga diaspora dhe autorëve arbëreshë ishin pjesë e një dialogu të gjallë mes brezash dhe gjuhësh. Në një orë letrare të mbajtur në sallën e bashkisë së Horës, fjala poetike u bë urë lidhëse mes të largëtit dhe të afërmit, ku u lexua në arbërisht dhe në shqip. Këtë mbrëmje, shkrimtari Schirò Di Maggio u nderua me titullin “Anëtar Nderi” i LKSHM-së nga kryetari i saj, Musa Jupolli.
Por udhëtimi nuk ndaloi aty. Më 30 prill, delegacioni udhëtoi drejt Pallacit (Palazzo Adriano) dhe Kundisës (Contessa Entellina), dy qendra që ruajnë kujtimet e identitetit arbëresh në mënyra të ndryshme. Në Pallaci, vendi ku u xhirua “Nuovo Cinema Paradiso”, sheshi kryesor u bë dëshmi e asaj që ka mbetur e asaj që mund të ringjallet. Edhe pse gjuha aty është zbehur gadi në zhdukje, është mikpritja dhe ruajta me dashuri e kostumeve tradicionale që tregojnë se shpirtit arbëresh ende jeton. Një projekt i mirëfilltë për mësimin e gjuhës arbëreshe, me mbështetjen e institucioneve dhe komunitetit lokal, do të kishte një ndikim të jashtëzakonshëm në ringjalljen e gjuhës arbëreshe dhe kësaj pasurie kulturore.
Në Kundisa, gjuha arbëreshe ende flitet dhe këndohet. Prifti vendas emocionoi të pranishmit me këngët e vjetra që prekën zemrat. Në sytë e vizitorëve shkëlqeu një përzierje malli, krenarie dhe shprese. Mësuesja Tommasa Guarino, edhepse në moshë të shtyrë, pret dhe përcjellë vizitorët e shumtë. Ajo flet me dashuri për rikonstruimin e kostumit arbëresh në Kundisa, bazuar në kujtesën dhe fotografitë e ruajtura.
Më 1 maj, delegacioni mori pjesë në ceremonitë përkujtimore të Masakrës së Portella della Ginestra (1947), ku u nderuan 11 viktimat e pafajshme të mafies. Rruga mbushur me lule si një det i madh ngjyrash të ndryshme, u bë në këmbë drejt vendit të masakrës dhe kështu u shndërrua në një procesion meditativ për jetën, drejtësinë dhe rezistencën.
Në mbyllje, më 2 maj, u zhvillua një takim i ngrohtë me kryetarin e bashkisë së Horës, z. Rosario Petta, ku u hodhën themelet për bashkëpunime të reja kulturore. Hora e Arbëreshëve nuk është thjesht një vend — është fryma e një gjuhe që sfidon harresën, është zëri i një kombi që mbijeton në poezi, këngë dhe mikpritje.
Në këtë stinë të pranverës, shqiptarët e mërgatës gjetën veten në rrënjë. Dhe rrënjët arbëreshe i përqafuan me mall të mbledhur ndër shekuj. Aty, gjithmonë të pret shtatorja krenare e Gjergj Kastriotit – simbol i lidhjes shpirtërore ndër shekuj./KultPlus.com