Kur Nënë Terezës për herë të parë i shkuan lotët

27 Korrik, 2019 - 10:02 pm

Aty kah fillimi i viteve ’70, kohë kur Nënë Tereza mësoi për sëmundjen e nënës së saj, ajo i dendësoi përpjekjet për t’iu dhënë mundësia që të vizitonte vendin e saj. Shkoi të takonte atasheun e Ambasadës shqiptare në Romë me shpresë që të paktën do të lejohej të vizitonte Shqipërinë.

“Kur Nënë Tereza po dilte prej ambasade, – shkruan Dom Lush Gjergji në librin “Nënë Tereza Jonë”, – për herë të parë në jetë e pashë t’i shkonin lot nëpër faqe.

U ndal, drejtoi sytë kah qielli dhe tha: “O Zot, unë e kuptoj dhe e pranoj këtë vuajtje për vedi, por shumë e vështirë ta pranoj dhe kuptoj për nënën, loken time, e cila në pleqëri të shtyeme nuk dëshiron asgjë tjetër përpos të na shohë edhe një herë”.

Pas dështimit për vizë në ambasadë, Nënë Tereza nuk rreshti përpjekjet për të nxjerrë të ëmën dhe të motrën nga Shqipëria. Ajo iu drejtua për ndihmë disa prej personaliteteve më të mëdha të Globit, por pa sukses. Kur pa se ëndrra e saj për t’i takuar po shuhej, Nënë Tereza i shkruante të ëmës dhe të motrës:

“Nuk mund të bëj gjë tjetër, vetëm se të lutem për ju”.

Më 14 korrik 1972 Nënë Tereza mori një telegram, në të cilin i vëllai Lazër Bojaxhiu i shkruante: “Lutu për loken, që ndërroi jetë më 12 korrik”. Siç dëshmon shtypi, Drane Bojaxhiu vdiq me dhimbje në zemër që nuk arriti të shihte përsëri të birin e mbetur në Itali dhe të bijën misionare në Indi. Pas vitit 1990 janë botuar studime, ku shënohet një fakt prekës:

Drania bijës së vet, që nuk e shihte prej dyzet e pesë vjetësh, fotografinë e fundit ia dërgoi me këtë nënshkrim:

“Gonxhe, të puth nanëlokja”.

Agia, motra e tyre e mbetur vetëm, vdiq një vit pas vdekjes së të ëmës, më 1973. Në një intervistë të vitit 1979, pasi Nënën Tereza fitoi çmimin Nobel, Lazër Bojaxhi u shpreh:

“Motra e vogël, e përulur, ajo e cila u pati ardhur në ndihmë miliona të braktisurve, ajo që u ka dhënë dashuri dhe solidaritet aq njerëzve të dëshpëruar, u ndalua t’i qëndronte mbi krye të shtratit të vdekjes nënës së vet. Dhe ajo grua e gjorë vdiq e dëshpëruar, duke shtrënguar në kraharor një fotografi të njomur me lot”.

Lazër Bojaxhiu vdiq në vitin 1981, ndërsa Nënë Tereza arriti të hyjë në Shqipëri në vitin 1990, pesë vjet pas vdekjes së Hoxhës dhe pak muaj përpara se regjimi komunist të rrëzohej nga demonstratat e studentëve. E rrethuar nga roja të policisë sekrete, ajo mbërriti në shtëpinë ku kishin banuar e ëma dhe e motra për të mbajtur në dorë të vetmet kujtime të tyre: një radio “Siemens” të kohës së Luftës dhe një mulli për të bluar kafen turke.

Murgesha vendosi një tufë me lule në varret e nënës dhe të motrës si shenjë triumfi ndaj atij regjimi që e ndaloi t’i shihte ato në gjallje.

Shkruar nga Blendi Fevziu. / KultPlus.com

Të ngjajshme