Kur Rugby një sport ”mashkullor”, bëhet pasion i një vajze

7 Dhjetor, 2019 - 2:58 pm

Xhemile Hysenaj

Sportet zakonisht në botë konsiderohen si ”mashkullore”, mirëpo, gjithmonë kemi pasur gra që në fusha të ndryshme të sportit e kanë dëshmuar të kundërtën, shkruan KultPlus.

Nga Kosova kemi pasur shumë sportiste që kanë treguar suksese të mëdha në Kosovë e në botë, secila prej tyre me ambicie të mëdha drejt majave, ato na e dëshmuan edhe njëherë se Kosova ka gra të talentuara, që Kosovën, para botës e prezantojnë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Mërgimtare Berisha, një vajzë që pasionin dhe energjinë e saj e ka fokusuar në sportin e Rugby-t, ka treguar për KultPlus më gjerësisht se si është të jesh femër e të mirresh me sport.

Berisha tregon për KultPlus, se ka qenë gjithmonë e apasionuar pas sporteve në përgjithësi, mirëpo, për pothuajse dy vite tashmë, ajo është pjesë e ekipit Balkan Lynx, sëbashku me shumë vajza tjera, ku ndër të tjerash tregon se ky sport i ka ndihmuar shumë edhe në formimin e karakterit të saj, duke ndikuar direkt në vetbesimin e saj.
”Ajo fushë ku unë luaj Rugby, është versioni më i mirë i vetes sime, ku unë veten e shoh si një person që nuk dorëzohet kurrë, ku humbja më e madhe është mosbesimi tek vetja”, tregon ajo për KultPlus.

Sportet që luhen edhe nga gjinia femërore, janë të prirura për paragjykime nga të dy gjinitë, sidomos në vende ku sistemi patriarkal vazhdon të jetë i pranishëm. Kështu edhe Mërgimtare Berisha tregon të jetë ballafaquar shpesh me të tilla paragjykime, mirëpo ajo nuk i ka parë si pengesë, pasiqë ka qenë e vendosur në atë që dëshiron ta ndjek në të ardhmen. ”Paragjykimet kanë ekzistuar gjithmonë dhe mendoj që do të ketë edhe në gjeneratat e tjera që vijnë pas nesh, mirëpo është e rëndësishme që ne mos të ndikohemi, pasiqë sportet janë gjithëpërfshirëse dhe nuk ka ndonjë rregullore të sportit ku thuhet se për të pasur sukses në sport, primare është gjinia”, vazhdon tutje ajo per KultPlus.

Mërgimtare Berisha tregon që duke qenë se vjen nga një fshat që jo shumë femra luajnë sporte, ka marrë shpesh komente e shikime negative nga të tjerët. Një koment që ajo pohon se e mban mend është kur dikush iu kishte drejtuar me ”vendi i femrave është kuzhina jo rugby”, koment ky të cilit ajo i ishte përgjigjur vetëm me sukseset që sëbashku me ekipin e saj i kishin pasur.
”Komentet negative kanë qenë vetë forcë për t’u dëshmuar të kundërtën”, shprehet ajo.

Balkan Lynx është një ekip që tashmë i ka sjellur shumë trofe duke qenë pjesëmarrës në shumë turnire ndërkombëtare, ekip ky që po shkon çdo ditë drejt rritjes.

Të ndjekësh ëndrrën edhe kur paragjykimet nuk janë në baza gjinore, është shumë e vështirë. Mërgimtare Berisha na e dëshmon të kundërtën, që nuk ka rëndësi se nga vjen, kush je, apo çfarëdo, ka rëndësi të besosh se mundesh dhe të punosh shumë’.
Fatmirsisht sporti i Rugbyt pas nje periudhe jo shume te gjate do te jete nje nga top-sportet ne vendin tone

”Vajzat që mirren me sport e dijnë mjaft mirë se ka shumë sfida në lojë dhe jo vetëm. Mirëpo ne dhe të gjitha ato nuk duhen të ndalen asnjëherë, duhet që vendit tonë t’i sjellim sa më shumë medalje, duke dëshmuar kështu forcën tonë”, thotë ajo për KultPlus, duke iu drejtuar kështu të gjithë atyre vajzave që janë të dhëna pas sporteve ”mashkullore”. / KultPlus.com

Të ngjajshme