займ на карту онлайн потребительский кредит

Kurorëzimi i dashurisë në kohë pandemie, foto albumi që shpalos martesën në mënyrë virtuale

23 Shtator, 2020 - 3:33 pm

Egzona dhe Selimi kishin vendosur ta kurorëzojnë dashurinë e tyre shumëvjeçare. Të dy dukeshin të kompletuar, Egzona nën fustanin e saj të bardhë, Selimi i veshur me rrobat e tij më të bukura, dhe kështu përçonin një ngrohtësi teksa ishin nën krahët e njëri tjetrit. Mirëpo, ata nuk e kishin menduar që procedura e celebrimit të martesës së tyre do të ishte e tillë, shkruan KultPlus.

Nën ideimin e ekipit që merret me organizme të eventeve – “Glamour In” në Restorantin “Golden Imperial” në Prishtinë, çifti i ri pozuan përpara aparatit fotografik të Blend Rokës. Por, kësaj radhe edhe albumi fotografik të cilën e prisnin prej shumë kohësh kishte marrë tjetër format. Ata ishin afër njëri tjetrit, por të maskuar, datën më të rëndësishme të tyre e ndanin mes vete, ndërkaq gëzimin e kësaj dite tjerëve mund t’ia përçonin vetëm në mënyrë virtuale.

Themeluesja e kompanisë për evente “Glamour In”, Blerta Aliu- Ahmeti për KultPlus tregon konceptin e këtij albumi fotografik, i cili mund të definohet si “kurorëzim dashurie në mënyrë virtuale”, ndikuar nga pandemia.

“Koncepti i këtij albumi ka për qëllim të paraqes gjendjen aktuale se si ka ndikuar gjendja krijuar nga virusi Covid 19 në planet e martesave të këtij viti”, thekson Aliu Ahmeti. Tutje ajo rrëfen se të gjitha aktivitetet përgatitore kanë shkuar mjaft mirë falë bashkëpunimit dhe profesionalizmit të ekipës.

“Realizimi i këtij koncepti nuk ka marrë shumë kohë. Një ditë të tërë kemi punuar me fotografin Blend Roka, çiftin Egzonën dhe Selimin dhe gjithçka është realizuar në hapësirat e brendshme dhe të jashtme të restorantit të mirënjohur “Golden Imperial”, shpjegon Blerta.

Teksa ideja e realizimit të këtij foto-albumit ka qenë e ndikuar nga situata e krijuar, që çdo gjë të funksionojë në mënyrë virtuale, me shmangie të tubimeve, organizatorja Blerta tregon se çifti ka qenë tejet bashkëpunues për këtë iniciativë.

“Çifti e ka mirëpritur këtë aktivitet dhe pikërisht për shkak të kurorëzimit të tyre në këto kushte, ata e kane ndjerë më së shumti situatën aktuale dha kanë qenë bashkëpunues për ta realizuar sa më mirë konceptin e zhvilluar nga ekipi ynë”, vazhdon Aliu Ahmeti. Ndërkaq veçantia e këtij fotosesioni mbetet te rrethanat të cilat kanë qenë ndikues dhe i kanë falur fotografive elemente krejtësisht ndryshe nga ato normalet, e që ndoshta do të jetë shumë interesante për trashëgimtarët e çiftit kur një ditë do t’i shohin ato.

“Ky format i fotove dallon shumë nga ajo e zakonshmja pasi që nuk paraqet dasmë tipike të planifikuar. Kurorëzimi i dashurisë në mënyrë virtuale është detaji më i rëndësishëm i këtij koncepti”, sqaron themeluesja e Glamour In. Ky ndryshim i situatës i cili ka bërë që fotografitë dhe martesa e çiftit të jenë më ndryshe, padyshim që ka ndikuar edhe në psikologjinë e tyre dhe të rrethit.

“Mesazhi i kësaj fushate ka për qëllim theksimin e ndikimit të pandemisë në aspektin psikologjik te çiftet dhe familjarëve të tyre në ndryshimin e planeve për realizimin e dasmave të tyre”, shprehet Blerta Aliu Ahmeti.

Përveç shfaqjes së gjendjes së çifteve të reja të cilët së fundmi janë martuar, Glamour In është kujdesur që nëpërmjet kësaj të përfaqësoj edhe gjendjen e palëve të tjera të cilët janë të përfshirë në këto organizime si: restorantet, fotografët, etj. Por, prapë edhe për ta si ideator, më me rëndësi dhe primare mbetet shëndeti.

“Mirëpo mbi të gjitha mesazhi përçon atë se shëndeti është prioritet në çfarëdo situate të jemi, ndërsa kurorëzimi i dashurisë mund të ndodh çdo herë aty kur dashuria është prezente, pa marrë parasysh kushtet në të cilat gjendemi”, thotë Blerta.

Pandemia ka ndikuar që shumë ceremoni të martesës të shtyhen apo edhe të pamundësohen tërësisht./KultPlus.com

Të ngjajshme