8 Korrik, 2025 - 10:35 am
Drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës Sibel Halimi ka njoftuar se më 13 korrik, prej orës 20:00 do të bëhet përuruimi i nënkalimit në Dardani, i njohur si Kurrizi, ngjarje kjo që do të përfshijë muzikë dhe ekspozitë.
KultPlus ju sjell njoftimin e plotë për këtë ngjarje kulturore.
“Kurrizi” nuk ka qenë kurrë vetëm një shtegkalim. Ka qenë zemra alternative e qytetit, një udhëkryq idesh, ku muzika rock, kafenetë, ndejat spontane, ekspozitat e artit modern dhe lëvizjet e reja kulturore kanë gdhendur një frymë të lirë qytetare.
Me renovimin e tij, është krijuar një hapësirë e re që nuk ringjallet vetëm si vend takim për artin, por edhe si urë për kujtesën tonë kolektive, një epokë që na rikujton se liria dhe kultura janë gjithmonë të ndërlidhura, po aq sa e kaluara me të tashmen.
Le të fillojmë me një ekspozitë fotografish që ruan gjurmët e atyre që e bënë “Kurrizin” një hapësirë të gjallë alternative.
Grupi Minatori, që me tingujt e tyre rock dhe tekstet që këndonin, u kthyen në zë simbol të një brezi që nuk pranoi heshtjen.
DJ James, që solli rrymat elektronike dhe rock underground për ta mbajtur gjallë këtë puls.
Oda Haliti, që me performancën e saj sjell artin bashkëkohor dhe tingullin eksperimental si një vazhdim të gjallë të frymës që ky vend ka kultivuar.
Eja dhe përjeto këtë udhëtim përmes dy epokave, aty ku rock-u, elektronika dhe performanca bashkohen në një narrativë të vetme, që kujton të kaluarën dhe të tashmen përmes artit./ KultPlus.com