Kurti bën homazhe: Ismet Bogujevci është kënga e rritur në fëmijërinë time

14 Maj, 2021 - 1:57 pm

Këngëtari i njohur i këngës popullore shqipe, Ismet Bogujevci, vdiq ditën e djeshme duke lënë kështu të pikëlluar të gjithë ata që e njohën, qoftë personalisht apo përmes ekranit.

Për të nderuar figurën dhe punën e të ndjerit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me institucionin i Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve “Shota”, kanë organizuar sot një ceremoni komemorative ku edhe po  bëhen homazheve në Teatrin Kombëtar nga delegacionet shtetërore dhe komuniteti.

I pranishëm për homazhe ishte edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i cili në deklarimin para mediave pas homazheve, shpalosi dromca kujtimesh nga fëmijëria dhe admirimin që kishte për këngëtarin Bogujevci.

Ai tha se si fëmijë, teksa ndiqnin programin e vitit të ri në televizion, i prisnin me një mosdurim të gëzueshëm këngët e Ismet Bogujevcit dhe të Riza Bytyqit.

“Në vegjëli, se çka është martesa e mësuam prej prindërve, por edhe prej këngës ‘Martesa jonë’ të Ismet Bogujevcit. Edhe sot e kësaj dite kur e dëgjoj fjalën Kaçanik më ushtojnë veshët për shkak të vargut ‘ushton Gryka e Kaçanikut” të kënduar nga Ismet Bogujevci. E për Tefik Çangën, shumë kohë para se ta marr vesh se është emri i një fabrike të drurit në Ferizaj, dhe i një partizani të Luftës së Dytë Botërore, kam ditur ta këndoj ngapak duke e imituar Ismet Bogujevcin”, rikujtoi kryeministri Kurti.

Ai theksoi se këngëtari Bogujevci ishte njeri tejet i mirë dhe i dashur.

“Ashtu siç do të na mungojë fizikisht dhe do të kemi mall për të shumë kohë të gjatë, njashtu edhe kënga e tij do të rrojë jo vetëm me brezin tonë, por edhe me ata që do të vijnë”, tha kryeministri Kurti. / KultPlus.com

Të ngjajshme