Kurti bën nderime te “Heroinat”: Të gjithë të kontribuojnë kundër stigmatizimit të viktimave të dhunës seksuale

14 Prill, 2024 - 1:15 pm

Në shënim të Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së Fundit në Kosovë, kryeministri Albin Kurti ka bërë nderime te memoriali “Heroinat” në Prishtinë.

Kurti tha se viktimat dhe të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, gra e vajza, por edhe djem e burra, kanë paguar një çmim të lartë fizik, psikik, emocional për shtetin e për lirinë tonë.

Ai shprehu zotimin se institucionet e shtetit janë në krye të detyrës për ta mbrojtur këtë kategori dhe iu bëri thirrje edhe qytetarëve për mbështetjen e tyre.

“Vasfija e Shyretja janë shembuj për mbarë shoqërinë edhe kombin tonë, të thyerjes së heshtjes për një krim monstruoz, i cili ishte armë e luftës, në kuadër të projektit gjenocidal të Serbisë kundër popullit shqiptar të Kosovës”, u shpreh ai. 

“Janë mbi 20 mijë gra e vajza, burra e djem, të cilët janë përdhunuar gjatë luftës dhe është pjesë e gjenocidit që kemi përjetuar nga Serbia”, tha Kurti.

“Thua se krimi që bëri Serbia nuk mjaftonte, pasoi stigmatizimi ndaj këtyre personave, të mbijetuar të dhunës seksuale. Andaj ne iu bëjmë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë kundër stigmatizimit dhe që të gjitha ata, të cilët e kanë pësuar, që janë po ashtu viktima të marrin shembullin e Shyrete Tahiri Sulimanit, të marrin shembullin e Vasfije Krasniqi Goodman, të marrin shembullin e Marte Tunaj, e cila nuk rron më, dhe e cila gjithashtu ka qenë viktimë e përdhunimit seksual gjatë luftës dhe ta thyejnë heshtjen. Sepse çfarë iu ka ndodhur këtyre personave nuk u ka ndodh për shkak të emrave të tyre të veçantë apo karakteristikave individuale, por për shkak se ishin shqiptarë, dëshironin të jetonin në tokën e tyre, të lirë”, tha kryeministri.

Nderime bënë edhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës, Leonora Selmani, deputetë të Kuvendit të Kosovës e anëtarë të kabinetit qeveritar. / KultPlus.com

Të ngjajshme