Kurti e Peach diskutuan për sigurinë në Kosovë dhe dialogun Kosovë-Serbi

29 Nëntor, 2023 - 6:55 pm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me të dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach.

Kryeministria ka bërë të ditur se çështjet të cilat u diskutuan ishin marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet e fundit dhe situata e sigurisë në vend, përkatësisht në kufirin me Serbinë pas sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë dy muaj më parë, dhe dislokimin përgjatë kufirit të sistemit kundër-ajror të ushtrisë serbe, e vetmja në Evropë që operon me armatim dhe sistem raketor kinez, sikurse ai FK-3.  

“U bisedua edhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por edhe për takimin e 26 tetorit me liderët evropianë në Bruksel, si një hap dhe përpjekje e rëndësishme drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe të Serbisë por edhe si mundësi e humbur për të nënshkruar marrëveshjen si garanci e zbatimit të plotë”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Kurti falënderoi Lord Stuart Peach për bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar në fushën mbrojtjes dhe rolin aktiv të saj në fushën e sigurisë, veçanërisht përmes misionit të KFOR-it.

“Kurti, theksoi se zbarkimi i një kontingjenti prej 200 ushtarëve britanikë në Kosovë, si kundërpërgjigje ndaj sulmit terrorist të 24 shtatorit, po i kontribuon situatës së sigurisë”, theksohet në njoftimin e Kryeministrisë.​ 

Të ngjajshme