Kurti: Familjet e 1641 personave të zhdukur vazhdojnë të jetojnë në ankthin e pritjes

26 Prill, 2020 - 9:25 pm

Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuat Masakrën e Mejës si dhe gjithë të zhdukurit në luftën e Kosovës, shkruan KultPlus.

“Koha vetëm sa vjen e thellon plagët, venit shpresën dhe rëndon dhimbjen për këta familjarë”, ka shkruar ndër të tjera Kurti në Facebook.

Këtu keni postimin e plotë:

“27 prilli i vitit 1999 ishte i kobshëm për gjithë Kosovën.

Në këtë datë koinçidon edhe masakra e Mejës.

Përvjetori i Masakrës së Mejës ku u vranë e zhdukën 376 shqiptarë, por edhe Dita për Persona të Zhdukur, e shpallur në nderim të viktimave të masakrës së Mejës dhe gjithë të zhdukurve si pasojë e Luftës në Kosovë, na përkujton se kemi edhe shumë plagë të hapura.

Aktualisht, janë edhe 1641 persona të zhdukur. Janë familjet e 1641 personave që vazhdojnë të jetojnë në ankthin e pritjes, 1641 familje vuajtja e të cilave është stërzgjatë për më shumë se dy dekada. Fëmijë, tani të rritur bashkë me pritjen për një përgjigje. Pleq që nuk kanë njohuri për fatin dhe vendndodhjen e trashëgimtarëve të tyre.

Thuhet se koha shëron plagë, por kjo thënie dështon te familjet e të zhdukurve. Koha vetëm sa vjen e thellon plagët, venit shpresën dhe rëndon dhimbjen për këta familjarë.

Nuk është e mundshme të ndërtohet e ardhmja, pa u mbyllur si duhet e kaluara. Kemi obligim që të bëjmë gjithë sa mundemi që t’i prejmë rrugën kësaj drejtësie të munguar, duke e bërë çështjen e të zhdukurve si çështje të parë në dialogun e ardhshëm Kosovë – Serbi.

Nuk ka amnisti – por vetëm drejtësi.

Sepse… të gjithëve na mungojnë!”

Të fundit

Të ngjajshme