Kurti: Fëmijët e sotëm janë ata që nesër do të ndërtojnë institucione të reja e do ta zhvillojnë e përparojnë vendin tonë

20 Nëntor, 2022 - 8:00 pm

Me rastin e Ditës Botërore për të Drejtat e Fëmijëve sot u mblodh Komiteti Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve. Ky komitet siguron këshillimin dhe bashkërendimin e politikave shtetërore për garantimin e të drejtave dhe mbrojtjen e fëmijëve në të gjitha fushat, sidomos në ato të arsimit, drejtësisë, shërbimeve sociale, shëndetësisë dhe kulturës.

Para anëtarëve të Komitetit dhe të fëmijëve të pranishëm, Kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti, në adresimin e tij, tha se përveçse se të shënojnë një ditë të rëndësishme për të gjithë, jemi mbledhur sot që të dëgjojmë dëshirat dhe shqetësimet e fëmijëve tanë, reflektojmë mbi progresin tonë dhe të theksojmë domosdoshmërinë për të bërë më shumë. “Nuk ka dyshim që fëmijët janë pjesa më e rëndësishme e secilës shoqëri. Përfshirë shoqërinë tonë. Janë fëmijët e sotëm ata që nesër do të ndërtojnë institucione të reja e do ta zhvillojnë e përparojnë vendin tonë”, deklaroi kryeministri.

Duke iu referuar synimeve dhe zotimeve në programin qeverisës, kryeministri Kurti tha se po vazhdojmë të investojmë mundin, kohën, energjinë dhe burimet, në të gjitha aspektet ku fëmijët kanë nevojë, për t’u rritur të shëndetshëm e të lumtur, për zhvillimin në fëmijëri të hershme, për mbrojtje, mos diskriminim, me pjesëmarrje e fuqizim.

Më tej, ai përmendi shtesat për fëmijë, të cilat gjatë vitit të ardhshëm do të përfshijnë të gjithë fëmijët nën moshën 16 vjeçare; ndërtimin e çerdheve, që në buxhetin e vitin të ardhshëm janë buxhetuar 11 sosh; stafin shtesë për çerdhe; ligjin e miratuar në qeveri për arsimin e fëmijërinë e hershme; thirrjen e përbashkët me presidenten e vendit, Bankës Botërore dhe UNICEF për Veprim dhe Zhvillimin e Fëmijërisë së Hershme; dhe angazhimin e 500 asistentëve për fëmijë me aftësi të kufizuara e më nevoja të veçanta të paraparë në buxhetin për vitin 2023, si investimet e tona që përtej mirëqenies së fëmijëve tani, garantojnë kthime të konsiderueshme për të ardhmen.

Përkundër të gjitha punëve që kemi bërë, e që vazhdojmë të bëjmë, kryeministri Kurti u shpreh se për fëmijët gjithmonë mund e duhet të bëhet më tepër.

“Fëmijët meritojnë më shumë – vendi ynë meriton më shumë. Por edhe fëmijët meritojnë më shumë nga vendi ynë, nga shteti, nga institucionet e sistemi politik, ekonomik e kulturor të Republikës së Kosovës. Edhe vetëdije më e lartë shoqërore, edhe përgjegjësi më e madhe institucionale. Kjo ditë na bën thirrje, pra, për të bërë më shumë veprim kolektiv”, tha kryeministri Kurti.

Ai u uroi fëmijëve Ditën Botërore për të drejtat e tyre, duke shtuar se kjo ditë është gjithashtu një thirrje për të ripërqendruar vëmendjen te fëmijët dhe për të punuar së bashku për të tashmen e të ardhmen e tyre.

Fjala e Plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:

Të dashur fëmijë,
I nderuari z. Hekuran Murati, Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve,
E nderuara znj. Edona Maloku Bërdyna, zëvendësministre  e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,
E nderuara znj. Dafina Gexha, u.d. Ministre e Shëndetësisë,
E nderuara znj. Nona Zicherman, Shefja e UNICEF-it në Kosovë,
E nderuara znj. Era Thaqi, përfaqësuese e grupit të fëmijëve,
I nderuari z. Habit Hajredini, Drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit,
E nderuara znj. Kelmendi, Drejtoresha Ekzekutive e KOMF-it,
Zonja dhe zotërinj,

Sot është Dita Botërore e Fëmijëve. Në këtë ditë por për çdo ditë, ne bëjmë në veçanti thirrje për të krijuar mundësi për secilin fëmijë, vajza e djem, për të ardhme gjithëpërfshirëse e të barabartë. Është për të gjithë ne, për të dëgjuar zërat e fëmijëve, për çështjet që kanë rëndësi për brezin e tyre.

Pjesëmarrja është e drejtë themelore e njeriut, sipas Nenit 12 të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës. Andaj, edhe kemi për obligim të krijojmë një mjedis të favorshëm që lejon pikëpamjet e fëmijëve dhe adoleshentëve të dëgjohen. Prindërit, kujdestarët, mësimdhënësit, punëtorët socialë, dhe të rriturit e tjerë, kanë përgjegjësi që t’i dëgjojnë fëmijët dhe t’i marrin seriozisht pikëpamjet e tyre.

Vajzat dhe djemtë e vendit tonë, duhet të kenë mundësinë që bashkërisht me të rriturit të krijojnë modele për nxitjen e pjesëmarrjes së tyre në jetën qytetare. Krijimi i hapësirës për ta, garanton që edhe ne t’i kuptojmë nga afër e më mirë problematikat, për zgjidhjen e të cilave duhet të punojmë të gjithë, së bashku.

Kjo është edhe një nga arsyet pse ne jemi sot këtu, për të dëgjuar edhe dëshirat edhe shqetësimet tuaja. Është edhe një mundësi për të reflektuar mbi progresin tonë dhe për të theksuar domosdoshmërinë për të bërë më shumë. Ne kemi nevojë për partneritete te forta që investojnë dhe i drejtojnë resurset drejt zgjidhjeve; e saktësi edhe më te madhe në politikat dhe programet qendrore e lokale, për respektimin e të drejtave të fëmijëve.

Të nderuar të pranishëm,

Nuk ka dyshim që fëmijët janë pjesa më e rëndësishme e secilës shoqëri. Përfshirë shoqërinë tonë. Janë fëmijët e sotëm ata që nesër do të ndërtojnë institucione të reja e do ta zhvillojnë e përparojnë vendin tonë. Do të rriten e arsimohen, dhe në mënyrë kritike do të vlerësojnë e do të rregullojnë vendin tonë drejt integrimit evropian e euro-atlantik, të cilën e synojmë ne, e që me siguri këtë nuk bëjmë thjesht për brezin tonë, por për ata që do të vijnë. Meqenëse ne jemi një brez që kemi dalur nga okupimi e nga lufta, dhe pas pavarësimit synojmë Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Por do të jenë brezat e tjerë të cilët rriten, e më pas edhe aso që nuk kanë lindur ende, e të cilët do të jetojnë në një Kosovë të përparuar e të integruar.

Prandaj është e rëndësishme të flasim qysh sot, se çfarë mjetesh po u japim të gjithë fëmijëve në dispozicion, që ta kenë ardhmërinë pakrahasimisht më të mirë sesa e kaluara jonë. Dhe, në këtë aspekt se sa po bëjmë ne për ta, për obligimin tonë për t’i mbrojtur ata, shpresat edhe ëndrrat e tyre. Të rriturit kanë përgjegjësi për ata të cilët janë të rinj, e të vegjël e fëmijë. Që të gjithë bashkë kemi përgjegjësi për fëmijët e së nesërmes, jo vetëm për fëmijët e sotëm.

Andaj qeveria jonë në programin e saj ka vend të veçantë për fëmijët. Në përmbushje të zotimeve tona, ne po vazhdojmë të investojmë mundin, kohën, energjinë dhe burimet, në të gjitha aspektet ku fëmijët kanë nevojë, për t’u rritur të shëndetshëm e të lumtur. Për zhvillimin në fëmijëri të hershme, për mbrojtje, mos diskriminim, me pjesëmarrje e fuqizim.

Përtej barazisë sipas ligjit, është e domosdoshme edhe barazia në mundësi. E barazia nuk kufizohet vetëm në mundësitë e barabarta e të njëtrajtshme. Ajo arrihet kur mundësitë dhe mbështetja e ofruar, marrin parasysh edhe nevojat dhe rrethanat për të pasur një rezultat të barabartë. Pra, jo vetëm barazi në fillim, por barazi edhe në rezultat, jo vetëm në mundësi por edhe në atë çfarë arrihet.

Për barazi në fillim të shtegut, po i ndajmë shtesat për fëmijë që mos të ketë pabarazi në moshat e hershme. Brenda vitit të dytë të qeverisjes, me buxhetin për vitin 2023, do të përfshijmë në skemë të gjithë fëmijët nën moshën 16 vjeçare. Për çdo muaj e kemi rritur edhe nga një vit fëmijët që i kemi përfshirë në këtë skemë, e tash në buxhetin për vitin 2023, i cili ka kaluar në javën që po lëmë pas në lexim të parë Kuvendin e Republikës, po i përfshijmë të gjithë fëmijët nën moshën 16 vjeçare. Për këtë kemi ndarë buxhet në vlerë prej 60 milionë euro.

Në përputhje me premtimin tonë për zhvillimin e hershëm të fëmijëve, kemi vazhduar linjën buxhetore për ndërtimin e çerdheve, ku për këtë vit i kemi buxhetuar 11 çerdhe për fëmijë. Kemi shtuar 243 pozita të reja për staf për çerdhet që parashihen të funksionalizohen. Edhe Qeveria e ka miratuar Ligjin për arsimin e fëmijërinë e hershme.

Këtë vit, së bashku me Presidenten e Kosovës, Bankën Botërore dhe UNICEF-in, kemi lansuar një Thirrje për Veprim për Zhvillimin e Fëmijërisë së Hershme, një udhërrëfyes për të siguruar që çdo fëmijë të ketë fillimin më të mirë të mundshëm në jetë.

Vitin 2022 e kemi shpallur si vitin e personave me aftësi të kufizuara, me fokus në shëndetësi, arsim, punësim, qasje, mirëqenie sociale, kulturë dhe sport, si dhe drejtësi e siguri. Me projektbuxhetin për vitin 2023, po e përmbushim premtimin tonë për angazhimin e 500 asistentëve për fëmijë me aftësi të kufizuara e më nevoja të veçanta.

Këto dhe investime të tjera, përtej mirëqenies së fëmijëve tani, garantojnë kthime të konsiderueshme për të ardhmen. Kur largojmë barrierat për arsimimin e fëmijëve, përmes politikave arsimore dhe skemave të mbrojtjes sociale, përveçse te fëmijët, efekti përhapet edhe te familjet dhe komunitetet, dhe përfitues jemi të gjithë.

Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Të dashur fëmijë,

Përkundër të gjitha punëve që kemi bërë, e që vazhdojmë të bëjmë, për fëmijët gjithmonë mund e duhet të bëhet më tepër. Andaj është e rëndësishme që në ditë si kjo, të mblidhemi e të shpalosim ato që janë bërë, që të kemi mundësi të diskutojmë sfidat që duhet adresuar, e zbrazëtitë të cilat duhet t’i mbushim.

Edhe pse këto ditë zakonisht shoqërohen me festime, kjo ditë është gjithashtu një thirrje për të ripërqendruar vëmendjen te fëmijët dhe zgjidhjet, duke punuar së bashku për të tashmen e të ardhmen e tyre.

Fëmijët meritojnë më shumë – vendi ynë meriton më shumë. Por edhe fëmijët meritojnë më shumë nga vendi ynë, nga shteti, nga institucionet e sistemi politik, ekonomik e kulturor të Republikës së Kosovës. Edhe vetëdije më e lartë shoqërore, edhe përgjegjësi më e madhe institucionale. Kjo ditë na bën thirrje, pra, për të bërë më shumë veprim kolektiv. Është detyra jonë që të rrisim e edukojmë fëmijë që do ta bëjnë botën edhe më të mirë, e shumë më të dashur e më të lumtur. Ne nuk jemi përgjegjës për botën çfarë e kemi gjetur, por jemi përgjegjës se si ajo ecën më tutje, dhe çfarë ua lëmë trashëgim atyre që do të vijnë pas nesh, e këtu para së gjithash e mbi të gjitha janë fëmijët.

Andaj, gëzuar Dita Botërore e Fëmijëve! Qofshi të gëzuar gjithmonë! E në fund më vjen shumë keq që më duhet të ju kërkojë falje, se e kam për pak më shumë se një orë fluturimin e më duhet të shkoj. E me keqardhje nuk mund të marr pjesë në atë konferencën për media që më shumë qef do të vija, e në vend timin janë ministri dhe dy zëvendësministret. Andaj, urime edhe njëherë e faleminderit shumë, e ju kërkojë falje që po më duhet të largohem. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme