6 Maj, 2025 - 9:07 pm
Sot përkujtohet dita e lindjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skëndërbeu, përcjell KultPlus.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në Facebook ka shkruar se Skënderbeu është shqiptari për të cilin është shkruar më së shumti në histori dhe njëri nga personalitetet historike në përgjithësi për të cilin janë shkruar më së shumti libra.
Në vijim KultPlus ua sjell postimin e kryeministrit Kurti:
Gjergj Kastrioti ka lindur para 620 vitesh, me shumë gjasë në një ditë sikur sot, në Ditën e Shën Gjergjit, siç na bën të besojmë emri i tij, prej nga mund të jetë pagëzuar “Gjergj”, sipas traditave mesjetare të krishtera. Me origjinë fisnike nga familja e Kastriotëve, Gjergj Kastrioti do të bëhej një nga figurat më të njohura ushtarake dhe politike në Evropë, në shekullin e fundit të epokës së mesjetës.
Për një çerekshekulli, ai i priu kryengritjes dhe rezistencës kundërosmane të arbërve, duke dhënë shembull se si luftohet për liri, atdhe dhe bashkim politik. Ndër shekuj, emri i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, u bë referencë për strategji ushtarake, ideale politike, guxim në veprime dhe konsistencë në rezistencë.
Në këtë ditëlindje të tij, Skënderbeun po e kujtojmë me këtë portret të punuar në vitin 1533. Kjo gravurë është realizuar nga artisti gjerman Hans Weiditz, për të ilustruar botimin e parë në gjermanisht të biografisë për Skënderbeun që e shkroi Marin Barleti.
Skënderbeu është shqiptari për të cilin është shkruar më së shumti në histori dhe njëri nga personalitetet historike në përgjithësi për të cilin janë shkruar më së shumti libra. Në historinë e kombformimit te shqiptarët, figura e Skënderbeut është një nga shtyllat mbi të cilat është ngritur dhe qëndron kombi shqiptar. Gjergj Kastrioti ishte hero për së gjalli dhe do të mbetet heroi kombëtar i shqiptarëve në të gjitha kohërat. U kujtoftë dhe u nderoftë me lavdi Skënderbeu ndër breza!/KultPlus.com