Kurti: Me Putinin e vogël të Serbisë, paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor kurrë s’ka qenë më e kërcënuar

24 Prill, 2022 - 8:50 pm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me anë të një statusi të gjatë në Facebook ka kujtuar fillimin e agresionit rus ndaj Ukrainës. Ai ka thënë se këtij pushtimi i parapriu lufta hibride e nisur nga rusët, derisa ka kritikuar edhe Serbinë për mos vënie të sanksioneve ndaj Rusisë si dhe marsheve pro-Putinit nëpër sheshe. Kurti ka shtuar se Dodik dhe Vuçiq përbëjnë kërcënim për paqen në Ballkanin Perëndimor dhe i ka quajtur ata “Putini i Republika Srpskas” dhe “Putini i vogël”.

“Në këtë kohë kur e gjithë bota demokratike është distancuar nga Putini, fqinji ynë verior organizon tubime mbështetëse për Putinin duke i thurur lavde e duke arsyetuar krimet e tij në Ukrainë. Miqtë e tij në Serbi e Republika Srpska synojnë ta joshin Rusinë në Ballkan e për Ballkan. Në Ballkanin Perëndimor, Serbia mbetet vendi i vetëm në Evropë i cili refuzon të sanksionojë Rusinë e siç e pamë këto ditë, madje është edhe e gatshme të braktisë procesin e integrimit në BE vetëm për t’i qëndruar besnik Putinit.”, shkruan Kurti në statusin e tij.

 “Me mikun e Putinit në Republika Srpska të Bosnje Hercegovinës dhe Putinin e vogël të Serbisë, paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor kurrë s’ka qenë më e kërcënuar.  Taktika të njëjta të inskenimeve të ngjarjeve e sulmeve për të fajësuar palën tjetër i kemi parë edhe në rajonin e vendin tonë. Ata që besojnë se atë çfarë thotë Beogradi, që vazhdimisht armatoset nga lindja e veri-lindja, nuk duhet ta marrim seriozisht sepse e ka për konsum të brendshëm e për fushatë elektorale, në rastin më të mirë janë naivë. Kështu thoshin edhe për Putinin”, shtoi ai.

Kurti thotë se Vuçiq nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë as pas përfundimit të zgjedhjeve atje, duke kritikuar të gjitha ata që e besojnë atë.

“Ja që përfundoi fushata elektorale dhe i fitoi zgjedhjet partia-shtet por sanksionet ndaj Rusisë nuk i vendosi. Mund të duket mbivlerësim kur thuhet që në Ukrainë po përcaktohet e ardhmja e botës, por mbase është nënvlerësim nëse thuhet vetëm që aty po mbrohet Evropa dhe demokracia. Fashizmi nuk është i rezervuar për Gjermaninë e Italinë ndërmjet dy luftërave botërore apo Kilin e Pinoçetit para gjysmë shekulli. Secili komb a shtet mund të përfundojë në fashizëm. Për fatin e keq të botës, sot kjo i ka ndodhur një fuqie nukleare”, shtoi ai,.

Ky është statusi i tij i plotë:

Të ngjajshme