Kurti në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit: Duam gjyqtarë e prokurorë efikasë

9 Dhjetor, 2023 - 1:27 pm

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, ka thënë se korrupsioni e ka përcjellur Kosovën për vite me radhe, duke shkaktuar keqqeverisje, mentalitet të shëmtuar përfitues dhe ide të shtrembëruar që e konsideron shtetin si arkë për pasuri personale e jo mirëqenie kolektive.

Ai tha se pasojat i kanë ndier të gjithë për vite me radhë e që sipas tij rezultuan me varfëri të skajshme në dobi të pasurimit të individëve e grupeve të interesit.

“Nga ryshfeti deri te nepotizmi, kemi qenë dëshmitarë të të gjithave – efektit koroziv në menaxhimin e financave publike, dëmtimit të cilësisë e sasisë të shërbimeve, regresit ekonomik e deri te humbja e besimit në institucionet e shtetit”.

“Gjakderdhja financiare, skamja e shërbimeve institucionale, keqmenaxhimi i parasë publike e krimi brenda organeve shtetërore e të qeverisë kanë marrë fund. Me përkushtim, duke vendosur dinjitetin mbi çdo gjë, kemi nisur luftimin e korrupsionit nga brenda për ta shtrirë mbi çdo segment të shoqërisë tonë”, tha Kurti.

Ai përmendi aksionet dhe arrestimet e kryera gjatë mandatit të tij, duke  thënë se tash, Kosova është shteti më i zhvilluar në rajon për reformat e filluara në qëllim të zbatimit të sundimit të ligjit.

“Në fillim të qeverisjes jemi ngritur për 20 vende në Indeksin e matjes së perceptimit të korrupsionit të Transparency International. Nën udhëheqjen tonë janë kryer mbi 1100 operacione policore kundër krimit ekonomik e korrupsionit. Mbi 4000 persona janë arestuar, prej të cilëve mbi 300 zyrtarë shtetërorë. Kemi shkatërruar 103 grupe kriminale dhe konfiskuar mbi 2 ton narkotikë”.

“Me nisjen e procesit të vetingut në sistemin gjyqësor e prokurorial kemi dëshmuar që duam dënim meritor për zyrtarët shtetërorë, qofshin ata gjyqtarë e prokurorë që nuk i shërbejnë qytetarit, e që kriminelët i dërgojnë të mbrohen nga liria kurse zyrtarët e pavarur profesional i mbajnë në paraburgim pa ngritur kurrë aktakuzë. Duam ngritje në detyrë për ata që i shërbejnë shtetit e profesionit kurse ndalim të atyre që përfitojnë në kurriz të qytetarit dhe biznesit”.

“Duam gjyqësor të pavarur, prokurorë efikas e gjyqtarë që veprojnë me urtësi e mençuri. Këtë do bëjmë me veting në sistemin gjyqësor, të mbështetur nga ligjet që kemi dërguar në Kuvend. Vetëm në një vit qeverisës kemi miratuar mbi 80 ligje, afat i paarritur ndonjëherë nga ndonjë qeveri paraprake”, tha Kurti.

Më tej, kreu i qeverisë përmendi edhe ligjet që partitë opozitare i kanë çuar në Gjykatë Kushtetuese, ku tha se këtë e kanë bërë me secilin ligj që imponon reformë të pashmangshme në sistem.

“Me punë të madhe e procese gjithëpërfshirëse kemi hartuar Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Ky Ligj do prek secilin që ka përfituar në kurriz tuajin e që ka pasuruar xhepat në dëm të Republikës. Ky Ligj do bëhet dhe do zbatohet ashtu si është menduar dhe punuar. Vonimi i reformës përmes ankesave banale, sikur ishte ajo për Ligjin për Investimet e Qëndrueshme, nuk ka sesi t’i imponohet vullnetit qytetar si realitet”.

“Në vazhdim të punës tonë kundër korrupsionit, në vijim do prezantojmë edhe Strategjinë shtetërore kundër korrupsionit – vizionin e Qeverisë tonë për vendosje të rendit dhe ligjit, ngritjes së cilësisë të administratës publike, reformimit të shëndetësisë dhe vendosjes së llogaridhënies te menaxhimi i parasë publike”. /KultPlus.com

Të ngjajshme