Kurti në hapjen e DokuFest-it: Kultura si forcë për zhvillim dhe edukim

2 Gusht, 2025 - 5:53 pm

Nën dritat e Kalasë së Prizrenit dhe pranë rrjedhës së lumit Lumbardh, është hapur zyrtarisht edicioni i 24-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër – DokuFest. Në praninë e qindra artdashësve, festivali më i njohur i filmit në Kosovë nisi rrugëtimin e tij me një program të pasur që do të zgjasë nëntë ditë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi këtë ngjarje si një motor të fuqishëm zhvillimi, duke theksuar ndikimin që DokuFest ka jo vetëm në fushën artistike, por edhe në atë kulturore, ekonomike dhe edukative. “Ka dëshmuar qëndrueshmëri ekonomike, shoqërore e artistike. Është një organizatë që lidh zhvillimin kulturor me zhvillimin lokal”, u shpreh Kurti, përcjellë KultPlus.

Këtë vit, festivali sjell mbi 100 filma nga rreth 50 vende të botës, të ndarë në shtatë kategori garuese dhe të shfaqur në tetë kinema të ndryshme të qytetit. Përmes programeve të edukimit dhe përfshirjes në shkolla, DokuFest po ndihmon në rritjen e brezit të ri të kineastëve në vend.

Kryeministri theksoi gjithashtu rritjen e përkrahjes institucionale për festivalin gjatë katër viteve të fundit, duke vlerësuar organizatorët për punën dhe pasionin e tyre.

Prizreni tashmë ka hyrë në një atmosferë magjike që vetëm DokuFest di të krijojë./KultPlus.com

Të ngjajshme