Kurti: Nga sot jam kryeministër për të gjithë qytetarët e Kosovës

22 Mars, 2021 - 8:13 pm

Kryeministri i zgjedhur i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se nga dita e sotme është kryeministër i tërë qytetarëve të vendit, duke falënderuar të gjithë votuesit në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ai ka deklaruar se secila votë që i është dhënë Lëvizjes Vetëvendosje është për ta kthyer vendin për së mbari.

“Kjo është përgjegjësi e madhe andaj pritet që të jeni të përgatitur mirë. Mos u sillni me arrogancë ndaj opozitës, sepse ashtu siç u kanë dhënë votën qytetarët, ashtu edhe ua marrin. Ne do të udhëheqim me parime dhe besim. Duhet të punoni për aq sa keni mandat që të dëshmoni se jeni meritor në pozitat që jeni vendosur”, ka deklaruar Kurti duke iu drejtuar ministrave të zgjedhur.

Kurti në seancën e parë si kryeministër ka shtuar se për të arritur ndryshim duhet “bashkëpunim dhe mentalitet i ri i punës”.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se vendi nuk bëhet nëse vetëm rrinë. Sipas tij, mospajtimet e partive duhet të jenë për gabime e jo për inate.

Ai ka thënë se Qeveria e tij do të bashkëpunojë me opozitën e shoqërinë civile.

“Ndaj Serbisë duhet të jemi të bashkuar. Do të kërkojmë diskutim parlamentar deri në shterim. Duhet të arrijmë konsensus edhe për arsim. Për të ardhmen e fëmijëve duhet të gjejmë bashkërendim. Këtë duhet ta gjejmë edhe në sektorin e sigurisë. Bashkërendim do të kërkojmë edhe për fondin e sigurimeve shëndetësore. Poashtu do të kërkojmë për çështjet dhe politikat energjetike. Vendimi që merr qeveria jonë ndikon edhe në gjeneratat e ardhshme dhe në fëmijët që nuk kanë lindur”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se partitë politike nuk janë qellim në vetvete por për shërbim të qytetarëve.

“Ftoj secilin nga ju, brenda dhe jashtë vendit ta bëjmë shtetin që kemi ëndërruar. Kontributin në bërjen e shtetit e kemi obligim të gjithë, sfidat janë të mëdha por edhe aspiratat e mëdha”, ka thënë ai./ KultPlus.com

Të ngjajshme