Kurti për Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’: Kemi zhvilluar së bashku hapa të rëndësishëm drejt mbrojtjes së vlerave dhe zhvillimit të master planit

23 Mars, 2022 - 6:12 pm

Është mbajtur mbledhja e katërt e Komitetit ndër-ministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Në mbledhjen e djeshme u diskutua në hollësi për planin dinamik të punës, të zbërthyer në objektiva, aktivitetet në afat kohor, si dhe rezultatet e punës së Komisionit të Ekspertëve për periudhën janar – mars 2022.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij hyrës tregoi hapat që janë ndërmarrë që nga themelimi i këtij komuniteti.

“Gjatë vitit 2021 kemi zhvilluar së bashku hapa të rëndësishëm drejt mbrojtjes së vlerave dhe zhvillimit të master planit për Kompleksin Memorial. Pas vlerësimit të gjendjes fizike të ndërtesave dhe hartimit të planeve përkatëse, kanë filluar ndërhyrjet emergjente për mënjanimin e rrezikut në ndërtesat në gjendje të keqe dhe kemi themeluar Komisionin e Ekspertëve” tha kryeministri, duke shtuar se nga ky vit fokusi do të jetë në master planin për kompleksin memorial.

Ndërhyrjet emergjente në ndërtesën nr.4, në shtëpinë e Salë dhe Hamit Jasharit, kanë filluar në fund të dhjetorit 2021 dhe kanë përfunduar në mes të muajit mars 2022, tani puna do të vazhdoj edhe në ndërtesat tjera, të cilët janë vlerësuar nga ekipet profesionale të institucioneve tona dhe të inxhinierëve të Fakultetit të Ndërtimtarisë. /KultPlus.com

Të ngjajshme