Kurti për masakrën e Paklekut: Duhet dënim ndërkombëtar ndaj Serbisë

17 Prill, 2023 - 2:51 pm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nderuar viktimat e masakrës së Peklekut, 24 vjet më parë.

Kurti ka thënë se Masakra e Paklekut është dëshmi e gjallë e gjenocidit të Serbisë edhe sot e kësaj dite.

Rrjedhimisht ka kërkuar që Serbia të dënohet për krimet e kryera në Kosovë.

Bashkë me Kurtin në këtë përkujtim të masakrës ishte edhe presidentja, Vjosa Osmani, si dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca.

Deklarimi i plotë për media i kryeministrit Kurti:

 Masakra e Paklekut është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Këtu para 24 vjetëve janë vrarë 54 civil shqiptarë, për shkak se ishin shqiptarë dhe për shkak se dëshironin të jetonin të lirë e në paqe në tokën e tyre.

Prej këtyre 54 të vrarëve, 25 kanë qenë nën moshën 18 vjeçare, ndërkaq 18, pra çdo i treti ka qenë nën moshën 12 vjeçare. Pesë kanë qenë foshnje prej 6 mujash deri në 2 vjeç, ndërkaq Lirie Muqolli, ka qenë veç 6 muajshe si foshnje kur është vrarë në këtë masakër.

Siç e tha edhe presidentja Osmani nuk ka mjaftuar vrasja, por ka pasuar edhe djegia e kufomave, që do të thotë se plani ka qenë për shfarosje jo vetëm të jetërave, por edhe të qenies. Andaj, masakra e Paklekut është dëshmi e gjallë e gjenocidit të Serbisë edhe sot e kësaj dite.

Në muajin e ardhshëm bëhen katër vjet prej se në Kuvendin e Republikës, patëm mundësuar që Prokuroria e Shtetit, që prokurorët special, të ndjekin e më pastaj sistemi i drejtësisë edhe të gjykojë në mungesë kriminelët serbë. Pra, në muajin e ardhshëm bëhen katër vjet që ekziston një mundësi e tillë. Dhe për këto krime të kryera gjatë luftës që janë edhe gjenocid, edhe krime kundër njerëzimit, edhe krime lufte, do të duhej të ketë drejtësi për viktimat, por edhe dënim shtetëror e ndërkombëtar për ata që ekzekutuan dhe ata që i urdhëruan ato.

Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë! /KultPlus.com

Të ngjajshme