Kurti për Mikullovcin: Lamtumirë Çaplini ynë!

15 Shtator, 2020 - 1:37 pm

Aktori i njohur Adem Mikullovci vdiq në mëngjesin e sotëm në moshën 82-vjeçare, duke lënë kështu të pikëlluar të gjithë ata që e njohën e e deshën edhe nga ekrani.

Aktori Mikullovci ka lindur në vitin 1939 në Vushtrri, kurse përgjatë jetës së tij ka luajtur në shumë projekte filmike, teatër, komedi dhe shumë performanca të tjera artistike.

Për Mikullovcin, me anë një statusi në Facebook, ka shprehur dhimbjen e tij edhe Albin Kurti i cili ka shkruar se Mikullovci ka kohë që ka bashkëjetuar me vdekjen, por për shkak të gjallëri që posedonte nuk kishte si të vdiste ndryshe, përpos papritmas.

“Moti është ballafaquar me vdekjen, ka kohë që ka bashkëjetuar me vdekjen. Njeri mendërisht më aktiv nuk kam takuar. Ai nuk mund të mos mendonte vazhdimisht. Aq i gjallë ishte saqë vetëm papritmas mund të vdiste”, ka shkruar Kurti.

Ai nuk ka lënë pa përmendur faktin që Mikullovci u shua në ditën ndërkombëtare të  Demokracisë. Kurti ka shkruar se ai ishte deputet i dy republikave të Kosovës, asaj të 2 korrikut 1990 dhe 17 të 2008-ës.

“Sot, në ditën ndërkombëtare të demokracisë, u nda prej nesh Adem Mikullovci, deputeti i të dy republikave të Kosovës: i asaj të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, pra përfaqësues i republikës-për-rezistencë; dhe, i asaj të 17 shkurtit 2008, në legjislaturën e gjashtë të pasluftës në Kosovë”, ka shkruar ai tashmë për të ndjerin Adem Mikullovci.

Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë:

Lamtumirë Çaplini ynë!

Moti është ballafaquar me vdekjen, ka kohë që ka bashkëjetuar me vdekjen. Njeri mendërisht më aktiv nuk kam takuar. Ai nuk mund të mos mendonte vazhdimisht. Aq i gjallë ishte saqë vetëm papritmas mund të vdiste. Sot, në ditën ndërkombëtare të demokracisë, u nda prej nesh Adem Mikullovci, deputeti i të dy republikave të Kosovës: i asaj të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, pra përfaqësues i republikës-për-rezistencë; dhe, i asaj të 17 shkurtit 2008, në legjislaturën e gjashtë të pasluftës në Kosovë.

Para së gjithash, Adem Mikullovci ishte artist i angazhuar. Regjisor, skenarist, aktor, të gjitha dhe gjithçka në skenë e në film. Shumë herë i arrestuar e i maltretuar nga policia serbe gjatë viteve ’90. Për mua është i paharrueshëm me filmin “Një pallto për babain tim në burg” dhe vështirësitë për xhirimin e atij filmi nën okupim. Mbase për secilin film, dramë a komedi të Adem Mikullovcit mund të bëhet edhe një film, dramë a komedi tjetër mbi peripecitë e realizimit.

Vitin e kaluar m’i dha veprat e tij tejet të vlefshme “Oda e Junikut”, “Qëndresa” si dhe burleskat fantastike nga vitet 2005 dhe 2006.

Adem Mikullovcin në Lëvizje e kishim shok e gjysh, koleg e prind. Entuziazmi i tij për neve ishte inspirues. Kujtimi ynë për të është i pashlyeshëm.

Jetoi sipas vetes, për të tjerët. Prehu i qetë Baca Adem. Nderime përjetë Çaplini ynë./ KultPlus.com

Të ngjajshme