Kurti për vdekjen e Luran Ahmetit: Padrejtësisht ne humbëm një dispozitiv të lartë të teatrit

26 Mars, 2021 - 11:45 am

Ka vdekur mbrëmë aktori i njohur shqiptar, Luran Ahmeti, shkruan KultPlus.

Siç është bërë e ditur nga miqtë dhe dashamirët e të ndjerit, Lurani ka ndërruar jetë si pasojë e Covid19.

Vdekja e tij ka prekur thellë gjithë komunitetin artistikë dhe ata që e njohën.

Përmes një reagimi në facebook, një dhimbje të thellë e ka shprehur sot edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Kurti është shprehur se ndihet me fat që ka pasur rast ta shoh në skenë e ta takoj Luranin sepse sipas tij ai ishte një aktor i vërtetë.

Ky është postimi i plotë i Albin Kurtit:

Luranin pata fatin ta takoj tre vite më parë. Në shfaqje dhe pas shfaqjes. Ai luante rolin e Robespierit, në pjesën “Vdekja e Dantonit”. Pata fatin ta shihja në skenë. Ishte fat sipas vetë Luranit. Ai thoshte se teatri ishte vendi ku bëhej aktori i vërtetë. Kohët e fundit pandemia ia kishte penguar disa projekte. Por askush nuk mund të mendonte se do t’ia ndalte ëndrrën.

E pashë pra Luranin në skenë, në vendin e ndërveprimit më intim të plastikës dhe cerebralit të aktorit. Si duket ishte nisur për të luajtur personazhe historikë. Do të kishim patur fatin ta shihnim më gjatë atë portret të plotë e të ngrohtë që dinte të merrte forma të ashpra dhe të prera. Ai po ngjitej modestisht në skenë. Një ditë jam i sigurtë se do t’i rikthehej Robespierit. Dhe jam i sigurtë se përsëri do ta shihja. Por, padrejtësisht ne humbëm një dispozitiv të lartë të teatrit. Ne humbëm Robespierin tonë te “Vdekja e Dantonit”.

Ngushëllime gruas Edlira, vajzës Arba, babait Xhabir, familjes së gjerë e miqve të shumtë të Luranit. / KultPlus.com

Të ngjajshme