Kurti përkujton Shaban Shalën: Mësuesi që jetën e tij e jetoi aq intensivisht, mes aktivitetesh patriotike dhe burgosjesh politike

20 Janar, 2023 - 7:47 pm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot mësuesin dhe patriotin Shaban Shala në 60-vjetorin e vdekjes, përcjell KultPlus.

Në vijim gjeni postimin e plotë të kryeministrit Kurtit:

“Unë për ty kam me punuemun,
Se ti vendi jemi je;
Unë gjithmonë kam me t’kujtuemunë
Ty çdo çast o i jemi atdhe.”

Këto vargje janë shkruar nga Shaban Shala, më 26 shtator 1956 në fshatin Letanc të Podujevës, ku ai kishte lindur më 16 shkurt 1933. E shkruar në një gegnishte të folmës së krahinës së Llapit, titulli i kësaj poezie, “I betumi për Atdhe”, mund të lexohet edhe si një titull vetëprofetik i autorit për fatin e tij, por edhe si emërtues i figurës së tij postmortum. Sepse Shaban Shala vërtetë ishte “I betumi për Atdhe”!

Në moshë fare të re, Shaban Shala iu bashkua Organizatës Revolucionare Nacional-Demokratike për Bashkimin e Trojeve Shqiptare. Pasi kishte kryer Shkollën Normale në Prishtinë, Shaban Shala punoi si mësues në fshatrat Lupç i Epërm, Popovë, Murgull, Pollatë, Dabishec dhe Tugjec. I vetëdijshëm që për shkak të veprimtarisë së tij politike rrezikonte të arrestohej, më 1952, duke dashur të kalonte kufirin e Jugosllavisë për të dalur në Austri, Shaban Shala u arrestua në rrethin e Mariborit në Slloveni, bashkë me Shaban Zhijeqin, Ibrahim Demollin dhe Nuhi Gashin. Ai u dënua me një vit burgim në burgun e Prishtinës, në një proces gjyqësor bashkë me Xhafer Mehmetin, Fetah Batatinën, Nuhi Gashin, Jusuf Ismailin, Ibrahim Demollin, Sabit Kapitin, Shaban Zhijeqin dhe Hamit Zhitinë. Siç kanë rrëfyer të burgosurit e tjerë, gardianët e torturonin Shabanin duke e mbyllur në sënduk, duke e mbajtur të lidhur 24 orë të shtrirë mbi një dërrasë me gozhda, duke i futur gjilpëra mes thonjëve, duke i lëshuar hekur të skuqur në zjarr mbi shuplakë të dorës dhe duke i futur minj të mëdhenj në qeli. Pas lirimit nga burgu, për t’u kuruar nga pasojat e torturave në burg, Shaban Shalës iu desh të shtrihej në spitalin e Nishit dhe Beogradit.

Më 28 shkurt 1956, Shaban Shala u burgos për herë të dytë, tani në burgun e Gjilanit, pasi u arrestua bashkë me Ali Pecin nga Mitrovica dhe Emrush Lluçkun nga Përlepnica e Gjilanit. Pa ndonjë provë reale për akuzë, Shaban Shala u lirua nga gjykata e Gjilanit katër muaj më vonë, më 16 qershor 1956. Më 28 nëntor 1960 dhe 1961, bashkë me shokët e organizatës dhe me gruan e tij Sadijen, Shabani qepi flamuj me shqiponjë dykrerëshe mbi beze të kuqe dhe i vendosi në publik, ndonëse atë kohë ishte i ndaluar përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar.

Më 27 shtator 1962, Shaban Shala u arrestua përsëri dhe u burgos për herë të tretë, kësaj here në burgun e Prishtinës. Ai u dënua me 2 vite burgim, por gjatë katër muajve pasues, Shaban Shala u torturua jashtëzakonisht shumë, sa që më 20 janar 1963, duke mos pranuar të fliste përkundër mundimeve dhe malltretimeve, ai vdiq nga torturat. Natën e 20 janarit 1963, një e burgosur politike në një qeli tjetër të burgut të Prishtinës, Hyrije Hana nga Gjakova, kujton se si kur gardianët e morën dhunshëm Shaban Shalën duke e lidhur dhe zvarritur, ai thërriste me zë të lartë: “Rroftë Shqipëria, poshtë tradhtarët e kombit, poshtë klika e Titos”.

Sot bëhen 60 vite nga vrasja e Shaban Shalës nga autoritetet serbe më 20 janar 1963. Ky mësues patriot dhe ky aktivist i burgosur politik, ishte viktimë e politikave diktatoriale dhe shoviniste të zbatuara nga UDB-ja dhe zyrtarët e Serbisë, që ushtronin dhunë mbi shqiptarët në Kosovë. Në popull, Shaban Shala do të njihej si Shabani i flamurit, mësuesi i flijuar për gjuhën shqipe, simbolet kombëtare dhe për liri.

Lavdi Shaban Shalës, mësuesit që jetën e tij e jetoi aq intensivisht, mes aktivitetesh patriotike dhe burgosjesh politike, duke e shtruar rrugën e gjatë të çlirimit të Kosovës./ KultPlus.com

Të ngjajshme