Kurti përmbledh vizitën e tij treditore në Uashington: Morëm mbështetje nga të gjithë zyrtarët

21 Maj, 2022 - 7:56 pm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë një përmbledhje të vizitës së tij tre-ditore në Washington DC dhe takimeve që ka zhvilluar me zyrtarë atje përmes një postimi në “Facebook”, përcjell KultPlus.

Kurti ka thënë se qëllimi ynë kryesor gjatë gjithë këtyre takimeve ishte për të avokuar sa më fuqishëm për vlerat dhe prioritetet e përbashkëta të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Përkushtimi afatgjatë për siguri dhe paqe i Republikës së Kosovës, përshpejtimi i procedurave për anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian, rritja e investimeve amerikane dhe vëmendja më e shtuar për sigurinë e Kosovës, ishin disa prej temave kyçe që diskutuam në Washington, D.C”, ka shkruar ai.

Kreu i ekzekutivit tha se kanë potencuar se për sigurinë e Kosovës ka nevojë për një demilitarizim të një brezi rrotull kufirit të Kosovës me Serbinë, kthimin e kampit ushtarak “Bondsteel” në bazë të përhershme të ushtrisë amerikane, si dhe rritjen e mbështetjes për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Zyrtarët e lartë të ShBA-së i njoftuam për progresin demokratik e socioekonomik pas një viti në drejtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe për punën e angazhimin tonë në fuqizimin e sundimit të ligjit, sidomos përmes luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

“Nga të gjithë zyrtarët morëm mbështetje shprehimisht për njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe pranuam falënderime për ndihmën që u kemi dhënë refugjatëve afganë, për rreshtimin përkrah ShBA-së dhe botës demokratike me vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë pas invazionit ilegale të Ukrainës dhe për gatishmërinë tonë për të strehuar deri në 5,000 refugjatë prej atij konflikti”.

“Po ashtu, zyrtarët amerikanë na përgëzuan për qëllimin gjatë vizitës sime në ShBA për të prezantuar mundësitë për investime dhe për të nxitur investitorë potencialë në Kosovë, një faktor ky i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit tonë”. /KultPlus.com

Të ngjajshme