Kurti reagon për rastin e Ademajt: Vetëm dënime maksimale, kjo bëhet me një sistem prokurorial e gjyqësor efektiv

3 Dhjetor, 2023 - 5:23 pm

Liridona Ademaj humbi jetën si rezultat i një tragjedie që ndodhi së fundmi, shkruan KultPlus.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për këtë rast, duke thënë se ajo u vra se ishte grua.

I pari i ekzekutivit, ka thënë se urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtorët e tjerë duhet të ndëshkohen me dënim maksimal, e kjo bëhet me një sistem prokurorial e gjyqësor efektiv.

Postimi i plotë:

“Liridona Ademaj u vra me paramendim. U vra se ishte grua.

Gratë dhe vajzat po vazhdojnë të vriten, gjersa normat shtypëse patriarkale ende janë të shpërndara gjerë.

Arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton. Barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bie mbi supet e grave dhe vajzave, përderisa kryesit e krimeve nuk marrin dënime meritore.

Sot ishte seanca dëgjimore, ku tre të dyshuarve iu caktua nga një muaj paraburgim. Urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtori në vrasjen e Liridonës duhet të ndëshkohen dhe ta marrin dënimin maksimal. Kjo bëhet me një sistem prokurorial e gjyqësor efektiv dhe të vetëdijshëm për detyrën e lartë shoqërore që bartin.

Dhimbja është e madhe. Ndërgjegja është kolektive, në secilën familje, shtëpi.

Për ta parandaluar këso krime makabër, duhet të punojmë secili e secila, në secilën fushë e vend.

Këtë kulturë patriarkale e mizogjene, këtë maskulinitet të dhunshëm e toksik e zhdukim vetëm ashtu.

E qytetarët e Republikës presin nga zyrtarët publikë që punojnë (apo kanë punuar) në institucionet shtetërore se duhet të jenë shembull pozitiv e progresiv në shoqëri për sjelljen e tyre ndaj partnerëve dhe në familje e jo kriminelë a mujsharë që besojnë se ia dalin”, shkruan Kurti. /KultPlus.com

Të ngjajshme