Kurti takohet me policët e lënduar në aksionin në veri, u ofron mbështetje të plotë në luftën kundër krimit të organizuar

17 Korrik, 2022 - 7:45 pm

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi sot policët, pjesëmarrës në aksionin e mbrëmshëm kundër kontrabandës në Leposaviq, përfshirë ata që u lënduan, dhe Drejtorin e Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Policia jonë çdo ditë demonstron vendosmëri dhe shkathtësi për të siguruar ligjshmërinë në tërë territorin e Republikës. Përderisa puna profesionale e policëve ka arritur të sjell personat e dyshuar para drejtësisë, kjo e fundit, në këtë rast Prokuroria, liron njërin të dyshuar në procedurë të rregullt, sipas pohimeve të policëve.

Kurti shprehu falënderim dhe mirënjohje të thellë për trimërinë dhe profesionalizimin e tyre për të qenë në krye të detyrës, teksa u uroj shërim të plotë sa më të shpejtë.

Ai theksoi që shteti ligjor dëshmohet me punën e zellshme të prokurorisë dhe efikase të gjyqësorit. Në mungesë të këtyre të fundit, aksionet e Policisë e me këto sigurimi i rendit publik, mbeten të papërfunduara. E për të dëshmuar përkushtimin dhe aftësinë në vendosjen e sundimit të ligjit, duhet pritur veprimet e mëtutjeshme të prokurorisë, u shpreh ai.

Kurti shtoi se luftimi i krimit të organizuar dhe vendosja e rendit dhe ligjshmërisë mbeten ndër prioritetet kryesore të Qeverisë dhe se për këtë Policia e Kosovës gjithmonë do ta ketë mbështetjen e plotë. /KultPlus.com

Të ngjajshme