Kush janë 10 shqiptarët që marrin pjesë sot në Maratonën e New York-ut

8 Nëntor, 2021 - 8:00 pm

Sot, në New York City, rikthehet Maratona e përvitshme. Është maratonë jubilare, se është e 50-a që organizohet në këtë qytet, por është e veçantë edhe sepse vjen pas anullimit vitin e kaluar, për shkak të pandemisë.

Numri i pjesëmarrësve këtë vit do të jetë më i vogël, nga 50-55 mijë janë regjistruar vetëm 30,000. Por mes tyre këtë vit do të vrapojnë edhe të paktën edhe 10 shqiptarë.

Jam i sigurtë që ka pasur shqiptarë edhe në të kaluarën, por këtë  vit mësova që 10 pjesëmarrësit e sotëm kanë themeluar Klubin e Vrapuesve Shqiptaro-Amerikanë (Albanian-American Runners Club) dhe kanë kohë që stërviten individualisht dhe së bashku.

Klubi është pjesë e organizatës “New York Road Runners” që ka si mision të frymëzojë njerëzit nëpërmjet vrapimit.

Shqiptarët që do të bëhen sot pjesë e kësaj ngjarje masive sportive, kulturore, qytetare e ndërkombëtare janë: Avni Karakushi, Aisel Omerbashi, Davila Hasandoci, Era Makoci, Jahi Kadriji, Kreshnike Makolli, Mergim Ukaj, Mexhid Zeqiri, Redion Kadilliu, dhe Shepi Zabelaj. Mosha e e tyre varion nga 27 deri ne 50 vjeç.

Hartat më poshtë, tregojnë rrugëtimin e Maratonës së sotme, që fillon në Staten Island, depërton nëpër Brooklyn, Queens, Manhattan, dhe Bronx përpara se të kthehet përsëri në Manhattan dhe të mbarojë në Central Park (Parkune  famshëm Qendror të qytetit). E gjithë rruga, sipas standardit duhet të jetë 26.2-milje apo pak me shumë se 43 kilometra.

Ura e Brooklyn-it është edhe pjesa që prodhon zakonisht pa,mjet më marramendëse të kësaj ngjarjeje. Maratona e parë në New York u organizua në 1970. Që atëhere është zhvilluar rregullit në qytet, madje edhe pas 11 Shtatorit, kur ishte frika e terrorizmit. Për herë të parë u anullua në 2012, për shkak të Uraganit Sandy si dhe vjet për shkak të pandemisë.

Maratona është një nga sfidat fizike më të vështira të njeriut në histori. Ka njerëz që përgatiten gjithë jetën për këtë sfidë. Shumë të tjerëve pasioni u lind më vonë, por pak gjëra kërkojnë kaq shumë përkushtim dhe sakrificë, guxim dhe vendosmëri.

Maratona e New York-ut do të fillojë në 8 të mëngjesit, ndonëse vrapuesit profesionistë, ata që në fund, nxjerrin edhe fituesit për femra dhe meshkuj, do të fillojnë pak më vonë.

Dhjetë bashkatdhetarëve tanë që po na përfaqësojnë në këtë sfidë monumentale njerëzore u urojmë sukses. /Illyria/

Nga Ruben Avxhiu / KultPlus.com

Të ngjajshme