Kushi: Sa më të shëndetshme të jenë gratë dhe vajzat, aq më e shëndetshme është edhe shoqëria

23 Tetor, 2020 - 9:01 pm

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi mori pjesë sot në ecjen tradicionale të organizuar nga “YWCA of Albania” në lidhje me informimin dhe ndërgjegjësimin e grave e vajzave për parandalimin e kancerit të gjirit nën moton “Fjongo rozë më kujton”, ndërsa ka dorëzuar edhe çmim për një vullnetar të kësaj kauze.

“Jam e lumtur që sot i dorëzova Çmimin e Vullnetarit të “Fjongos Rozë” Majlinda Xhamos, e cila drejton me shumë profesionalizëm Zyrën Vendore Arsimore Berat, duke u angazhuar njëkohësisht prej vitesh me iniciativa të ndryshme të “YWCA of Albania” dhe dhënë kontribut të vazhdueshëm në organizimin e aktiviteteve ndërgjegjësuese dhe sensibilizuese në kuadër të “Fjongos Rozë të YWCA”, tha Kushi.

Ndërkohë, Kushi tha se, “Fjongo Rozë” na kujton të gjithëve se shëndeti i grave dhe i vajzave nuk është i rëndësishëm vetëm për ta, por ka domethënie të veçantë për çdo familje, çdo fëmijë dhe për shoqërinë në tërësi.

“Sa më të shëndetshme të jenë gratë dhe vajzat, aq më e shëndetshme është edhe shoqëria”, u shpreh ministrja.

“Prandaj, vëmendja dhe kujdesi për gratë dhe vajzat duhet të jetë sa më i madh jo vetëm gjatë muajit tetor, por gjatë gjithë vitit. Një vizitë tek mjeku, një kontroll, një mamografi dhe diagnostifikimi i hershëm shpëtojnë jetë”, apeloi Kushi. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme