Kuvendi miraton Projektligjin për dërgimin e FSK-së jashtë vendit

13 Dhjetor, 2021 - 7:30 pm

Me 68 vota pro Kuvendi i Kosovës ka miratuar në shqyrtim të dytë Projektligjin për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.

Deputeti i PDK-së Hisen Berisha, tha se si parti do ta mbështesin këtë projektligj, por që ka pasur një kërkesë që të gjithë të jenë të matur sa i përket deklaratave për përfshirjen e FSK-së në operacione të ndryshme ndërkombëtare.

“Duhet të jemi të matur sa i përket deklaratave për përfshije të Forcës në operacione të ndryshme ndërkombëtare bazuar në kapacitetet operacionale që kemi. Mendoj që ky ligj meriton të kalohet për shkakun se e intensifikon rolin e ushtrisë në politikën e jashtme të vendit, një rol që do të bëjë që Kosova të rreshtohet krahë shteteve që e mbështetin paqen në botë, por asnjëherë duke dalë përtej kapaciteteve tona operacionale që kemi për të mbështetur këtë paqe”, tha Berisha.

Edhe shefi i Grupit Parlamentari AAK-së, Besnik Tahiri, referuar një deklarate të kryeministrit të Kosovës rreth dërgimit të FSK-së në rast të shpërthimit të konflikti në Ukrainë, tha se duhet të kenë kujdes me deklarata publike.

“Ai e ka thënë saktë, ka thënë ‘çka do që NATO e parasheh të nevojshme, ne natyrisht që jemi të gatshëm’, mirëpo ajo që ne si Grup Parlamentar dëshirojmë ta ngremë në këtë temë është se para se të shohim se çka parasheh NATO për FSK-në ne duhet ta bëjmë ushtrinë tonë NATO, t’i krijojmë kushtet e ushtrisë tonë për NATO”, tha ai.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili tha se pjesëmarrja në operacione ndërkombëtare ka domethënie të madhe për hyrje të FSK-së në NATO.

Sa i përket anëtarësimit të FSK-së në NATO, Mehaj tha se janë duke i përmbushur të gjitha kapacitetet.

“Sa i përket pjesëmarrjes në operacione ndërkombëtare, kjo ka domethënie të madhe edhe për hyrjen në NATO, se kjo është një pikë që shumë shtete të tjera para neve i kanë kaluar këto faza dhe kanë marrë pjesë në operacione ndërkombëtare. Diplomacia ushtarake ka ndikim shumë të madh jo vetëm në ngritjen e Forcës, ngritjen e kapaciteteve, po edhe ndërlidhjen e partneritetit me shtetet e NATO-s dhe shtetet partnere, se këtu lidhet partneriteti ushtarak përmes pjesëmarrjes në operacione ndërkombëtare. Sa i përket rrugëtimit drejtë NATO-s ne jemi në proces e sipër, të gjitha kapacitetet jemi duke i përmbushur, e kemi një plan të tranzicionit dhe atë jemi duke e përmbushur në bashkëpunim me partnerët tanë, por këtu edhe pjesëmarrja në operacione ndërkombëtare ka domethënie të madhe në ndikimin e Kosovës ne diplomaci ushtarake po edhe në pjesëmarrjen e paqes jashtë vendit, se më nuk jemi vetëm konsumues të sigurisë po edhe eksportojmë siguri jashtë vendi”, tha ai./kp / KultPlus.com

Të ngjajshme