Ky shtet do t’i evakuojë 80 mijë njerëz pas shënimit të tri rasteve me Covid-19

27 Korrik, 2020 - 9:05 am

Autoritetet e Vietnamit do t’i evakuojnë 80 mijë njerëz, shumica turistë, nga qyteti i njohur për turistë, Danang, pasi tre banorë dolën pozitivë në testin për koronavirus gjatë fundjavës. Lajmin e bëri të ditur qeveria e këtij shteti.

Vendi i Azisë Juglindore është vënë përsëri në alarm pasi qeveria të shtunën i konfirmoi rastet e para të infeksionit që nga prilli dhe më pas tri raste të reja të dielën, të gjitha në Danang ose përreth tij, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Procesi i evakuimit do të zgjasë së paku katër ditë dhe do të bëhet përmes linjave të brendshme ajrore me rreth 100 fluturime në ditë nga qyteti Danang në 11 qytete të tjera brenda vendit, thuhet në deklaratën e qeverisë.

Vietnami ka vendosur masa të rrepta të karantinës dhe ka kryer testime masive gjatë pandemisë, duke e mbajtur numrin e personave të infektuar në 420 dhe pa regjistruar asnjë viktimë.

Ky shtet ende nuk i ka hapur dyert për turistët e huaj, por është shtuar numri i udhëtarëve vendës për shkak të rënies së çmimit të fluturimeve dhe pakove për pushime që janë ofruar nga hotelet./ KultPlus.com

Të ngjajshme