Lame Kodra: Pse e dua Shqipërinë

29 Korrik, 2019 - 8:00 pm

Ideolog, poliglot e mbi të gjitha, një atdhetar i shquar i mendimit të thellë, Sejfulla Malëshova (Lame Kodra) ishte poet i patriotizmit dhe i luftës për liri. Por, më shumë, ai shkëlqente në përkthimet e shumë prej poetëve të mëdhenj.

    Sejfulla Malëshova zotëronte 14 gjuhë, dy më pak se Fan Noli, teksa shkruante me shumë merak dhe kritikonte cilindo që mund të deformonte fjalët dhe ligjëratat e gjuhës së bukur shqipe…

Pse e dua Shqipërinë

S’kam çiflik e s’kam pallate,

S’kam dyqan me katër kate,

Po e dua Shqipërinë

Për një stan në Trebeshinë,

Për një shkarp e për një gur,

Për një gardh e për një mur,

Për kasollen mbi Selishte,

Për dy ara në Zallishte,

Për një lopë e për një gomar,

Për një Balo, një manar.

Unë e dua Shqipërinë

Si bari dhe si fshatar.

Unë e dua Shqipërinë,

Për tërfilin mi lëndinë,

Për një vajzë gjeraqinë,

Dhe për ujët që buron

Nga një shkëmb e gurgullon

Nëpër lisa gjetheshumë,

Edhe zbret përposh në lumë.

Unë e dua Shqipërinë

Për një lule trëndelinë,

Për një zok që fluturon,

Për bilbilin që këndon

Në ato ferra, në ato hije

Këngë malli e dashurie,

Këngë shpirti të helmuar.

Unë e dua Shqipërinë

Si poet i dhemshuruar.

Unë e dua Shqipërinë

Që nga Korça e Vraninë,

Ku del bujku që me natë

Me parmendë dhe me shatë,

Mbjell e korr me djell, me hënë

Dhe s’ka bukë për të ngrënë,

Ku nallbani dhe samarxhiu

Mjeshtri, kallfa e kallajxhiu,

Kërrusen dite e kërrusen natë,

që të hanë bukë thatë,

Ku hamalli nëpër skela

Ngarkon hekur dhe varela,

Këmbë zbathur,***** çjerrë

Punon vetëm për të tjerë.

Unë e dua Shqipërinë

Që nga Shkupi e Janinë,

Ku një popull derëzi

Heq e vuan robëri

Po ka shpirtin luftëtar.

Unë e dua Shqipërinë

Si shqiptar e bir shqiptar.

Të fundit

Të ngjajshme