Lamtumirë kalldërm i shkretë

18 Korrik, 2020 - 3:31 pm

Shkruan: Denis Galushi

Ah, sa keq që nuk do ta shoh me plakun-shitësin bujar të shkresave në rrugët e Prizrenit.

Plakun, i cili, sa herë që e shihja nëpër Shadërvan të qytetit tim, u turpërohesha nga vetja ta përdor fjalinë: “Sot, shumë jam lodh”.

Plaku, 87 vjeçar, i cili padyshim ishte simbol i vërtetë i dinjitetit njerëzor.

Plaku, i cili, kurrë nuk e ka shtrirë dorën e lëmoshës, por deri ne çastet e fundit të jetës së tij, punoi me djersë!

Plaku, simbol i mbijetesës, sfidës, vështirësisë, por jo edhe i drejtësisë, fatkeqësisht.

Plaku, i cili, t’lenë të meditosh me mendjen tënde se, sa është e pastër paraja qe e fut në pragun e shtëpisë?!

Ishte 8 shkurti i vitit 2019, kur drekonim ne qendrën e qytetit tim, se bashku me shokun tim, Hasibin.
Plaku shitës, është ofruar tek tavolina jonë duke na pyetur: – A jeni të interesuar të bleni shkrepës apo ndonjë laps?

Për një çast, desha t’i dhuroj para, duke mos marr asgjë nga ai, por, për një moment lindi pyetja:

Kush jam unë që të luaj me dinjitetin e dikujt që ka dalur për ta fituar kafshatën e gojës me pune-djersë, duke mos shtrirë dorën e lëmoshës, edhe pse rrudhat e tij tregonin qe ai ka nevojë shumë për para!

U ndala, dhe e pyeta: Axh, a ma kishe bërë një nderë? – Urno djali mirë, u pergjigjë plaku.

Kisha pas shume dëshirë që me dreku së bashku me neve në këtë tavolinë, të na tregoni me shumë për jetën dhe biznesin tuaj, e po ashtu të na këshilloni për jetën, nëse ka mundësi?

Me një buzëqeshje, pranoi.

U gëzova shumë.

Ja nisëm bisedës, përderisa ai porositi një pije dhe hamburger me pomfrita.

“Abdulla e kam emrin. 86 vjet i kam. Jam pi Zhuri. Plakën e kam te shpija. Cdo ditë dalë në Prizren, pi katuni. Plakën e kam t’smut, djali nuk munet me punue, e une duhna mi kqyr ata…”, na tregoi axha Abdulla.

U mundohesha ta fsheh fytyrën nga ai, përderisa fshija lotët. Në çdo pikë të lotit kishte një urtësi për mua.

Nga plaku mësova se:

Lufta e vërtetë është të punosh dhe sakrifikosh me djersë për familjen, dhe jo lufta me armë.

Mosha bëhet veç një numër, atëherë kur duhet me çdo kusht të punosh për më të dashurit e tu, dhe

Të jesh zot shtëpie nuk është aq e lehtë. Sepse, nga guri duhet nxjerrur paranë!

Axha Abdullah, ti sot ike, për t’u takuar me ato qe te solli këtu.

Padyshim, Ai që të ka parë se paku njëherë në jetë, prej teje ka mundur te mësojë shumëçka.

Ai, i cili mediton në krijesat e Krijuesit.

Zoti të shpërbleftë me parajsat e Tij, për punën dhe sakrificën tënde në këtë botë.

Ngushëllime familjes!

Të ngjajshme