Lansohet projekti për ngritje të kapaciteteve hulumtuese në Kosovë “NanoKos”

7 Qershor, 2023 - 1:51 pm

Në Fakultetin e Mjekësisë është lansuar projekti “Ngritja e kapaciteteve hulumtuese në Kosovë – Nanopartikulat në Mjedis dhe në Hulumtim Mjekësor – NanoKos”, projekt ky që financohet nga Bashkimi Evropian në vlerë prej 1 milion euro. UP-ja, në këtë projekt, që koordinohet nga profesori Armond Daci, është partner i përbashkët me Universitetin e Mbretit në Londër (lider), Universitetin e Milanos dhe Universitetin e Parmës.

Gjatë këtij takimi u prezantuan aspektet e përgjithshme të projektit, përfshirë qëllimet e tij, perspektivat e partnerëve dhe qasjet drejt implementimit të tij.

Hapjen e takimit e bëri rektori Qerim Qerimi, duke iu uruar mirëseardhje të pranishmëve. “UP-ja do të përfitojë shumë nga ky projekt, i cili synon ngritjen e kapaciteteve hulumtuese, duke siguruar ambient dhe pajisje moderne për hulumtim, lehtësim të shkëmbimit të studentëve dhe stafit, me qellim të trajnimit të përbashkët, ofrimi i granteve për performancë dhe forma të tjera të mbështetjes,” tha rektori. Ai shtoi që UP-ja, së fundi, ka ngritur fondin për mbështetje të kërkimit shkencor dhe është duke punuar me dedikim të plotë në simulimin e të rinjve për hulumtim, duke ofruar edhe bursa për studentët e doktoratës dhe duke ngritur kapacitetet e laboratorëve.

Për rëndësinë e këtij projekti foli edhe dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, prof. Suzana Manxhuka–Kerliu, e cila theksoi që ky fakultet është një ndër njësitë akademike më atraktive për të rinjtë. “Ky projekt na ndihmon edhe në arritjen e objektivave kryesore të fakultetit tonë, të cilat, ndër të tjerash, janë: ndërkombëtarizimi dhe ngritja e kapaciteteve hulumtuese, duke qëndruar kështu si pikë reference për ekselencë, cilësi të lartë të studimeve dhe të praktikës klinike,” tha ajo.

Përkrahjen për projektin e shprehen edhe përfaqësuesit e institucioneve. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha që ministria që ai përfaqëson është jashtëzakonisht e interesuar që të kontribuojë në zhvillimin e kapaciteteve në fushën e nanopartikulave në mënyrë që kjo të reflektojë në një përmirësim të tërësishëm të situatës në mjedis. Rëndësinë e këtij projekti dhe përkrahjen në implementimin e tij e potencuan edhe zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Edona Maloku-Berdyna, dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Diasporës, znj. Liza Gashi.

Fjalë rasti në këtë event adresuan edhe ambasadori i Italisë në Kosovë, shkëlqesia e tij Antonello de Riu dhe shefi i sektorit për bashkëpunim nga zyra e BE-së në Kosovë, Johannes Madsen.

Ndërkaq, ekipi i koordinatorëve të projektit nga universitetet partnere, i përbërë nga Driton Vllasaliu, nga Universiteti i Mbretit në Londër, Guissepe Danilo Norata dhe Giagiacomo Beretta nga Universiteti i Milanos, Michele Miragoli nga Universiteti i Parmës dhe Armond Daci nga Universiteti i Prishtinës, para të pranishmëve, prezantuan projektin. Ata theksuan që nga ky projekt pritet të ngritën aftësitë hulumtuese laboratorike të studiuesve kosovarë, të rritet numri i partneriteteve me universitete evropiane, të avancojë aftësitë menaxhuese dhe administrative të stafit të UP-së, të ngre infrastrukturë moderne për hulumtim dhe të përfshijë studentët e të gjitha niveleve studimore në hulumtim.

Pas këtij takimi, është mbajtur punëtoria me profesorë dhe studentët, gjatë të cilës janë prezantuar më në detaje thirrjet dhe mundësitë në kuadër të projektit. / KultPlus.com

Të ngjajshme