Larg nga gjithçka, ishujt më të bukur të Europës për një arratisje perfekte

16 Janar, 2023 - 10:45 pm

Nga natyra mbresëlënëse, arkitektura unike e deri te jeta e shfrenuar e natës. Të gjitha këto i ofrojnë disa nga ishujt më të famshëm të Europës si Ibiza, Mykonos, Santorini etj. Mirëpo krahas tyre, ka shumë ishuj në kontinentin e vjetër që mund t’u dhurojnë turistëve arratisje fantastike drejt natyrës.

Po rendisim më poshtë disa nga ishujt më të bukur në Europë, nga ku mund të largoheni nga pothuajse gjithçka…

1Schiermonnikoog, Holandë

Holanda është më e njohur për kanalet, digat dhe fushat me tulipanë. Por një nga vendet më të bukura është dhe ishulli Schiermonnikoog, i vendosur në brigjet veriore të Holandës. Shtëpia e vetëm 950 njerëzve dhe një qytet i vetmuar, Schier, siç e quajnë vendasit ishullin e tyre, është një park kombëtar, i mbuluar me duna dhe pyje dhe me disa nga plazhet më të paprekura të Evropës.

Vizitorët nuk kanë shumë alternativa për t’u argëtuar, por mund të kalojnë kohën e tyre në plazhet me rërë të bardhë, të marrin mësime surfing apo të enden me biçikletë nëpër shtigjet e vetmuara të ishullit.

2. Heimaey, Vestmannaeyjar, Islandë

Shtëpia e llojeve të ndryshme të shpendëve, ishulli Heimaey në Vestmannaeyjar duket si i dalë nga një libër përrallash. Me shkëmbinj të veshur me bimë të gjelbra, plazhe me rërë të zezë dhe shpella të shumta përgjatë bregut të thyer.

Një shpërthim vullkanik në Heimaey në vitin 1973 mbuloi zonën me 200 milionë tonë hi dhe lavë, por për mrekulli u raportua vetëm një vdekje. Sot, mbretëron paqja e plotë, me shtigje të izoluara dhe pamje mahnitëse të oqeanit.

3. Ishulli Flores, Azores, Portugali

Një nga ishujt më të largët të kontinentit është ishulli Flores. Një ëndërr e vërtetë për adhuruesit e natyrës. Liqenet blu, shpatet e gjelbra, luginat, ujëvarat dhe burimet termale në ishullin vullkanik, e bëjnë këtë vend një parajsë të vërtetë për 3400 banorët vendas dhe turistët.

“Në këtë ishull keni ndjesinë se jeni në një botë tjetër. Pa ndotje, pa stres, pa zhurmë”, thotë Gabriela Silva, 69 vjeç, e cila ka lindur në Flores dhe jeton në ishull. “Deti blu është aq i pastër, saqë kur zhytesh përjeton ndjesinë e të qenit në shtëpinë e perëndive”, shton ajo. 

Ishulli Flores, Portugali

4. Naustholmen, Norvegji

Vizitorët duhet të fluturojnë fillimisht në Norvegji dhe më pas të vazhdojnë udhëtimin më në veri për të arritur në këtë ishull privat. Ishulli ka vetëm tri shtëpi që mirëpret turistë, ndaj numri i atyre që shkojnë është i paktë. Kush ka fatin të pushojë në këtë ishull, mund të shijojë plazhet apo të flejë gjatë natës në një shtat që përkundet, rrethuar nga heshtja dhe bukuria e këtij vendi të largët  

5. Tiree, Skoci

Ishulli Tiree nganjëherë konsiderohet edhe si Havai i Veriut, kjo për shkak të klimës së butë, ajrit të pastër dhe plazheve me rërë të bardhë. Festivali vjetor i muzikës Tiree tërheq deri në 2000 pjesëmarrës çdo korrik për të shijuar muzikën popullore skoceze, por edhe për të eksploruar pyjet dhe shtigjet e pashkelura të ishullit.  

6. Arkipelagu Berlengas, Portugali

Një nga destinacionet më befasuese të Portugalisë është dhe arkipelagu Berlengas, mbrojtur nga UNESCO. I njohur më së shumti për Fortesën São João Baptista, një kështjellë e viteve 1600, që sot është shndërruar në bujtinë për vizitorët. Gjithsesi, ishujt në këtë arkipelag kanë kampingje të shumta të hapura gjatë verës, ku vizitorët mund të qëndrojnë gjatë natës dhe të vëzhgojnë Rrugën e Qumështit.

Peizazhi është i thatë, por i bukur, ndërsa pamja e Oqeanit Atlantik që përplaset rreth ishujve është mbresëlënëse. Arkipelagu është një nga vendet më të mira për zhytje në Portugali, falë rrymave dhe klimës së ndikuar nga Oqeani Atlantik dhe Mesdheu.

7. Alicudi, Siçili, Itali

“Është ishulli më i egër në Siçili. Ata ende përdorin gomarë për të transportuar mallra në Alicudi. Nëse jeni duke kërkuar për vend ku të arratiseni, është perfekti”, thotë siçiliani, Francesco Curione. Maja vullkanike e Alicudi ngrihet nga Deti Tirren duke i dhënë peizazhit një efekt dramatik, rrethuar nga anije peshkimi shumëngjyrëshe që lundrojnë përgjatë vijës bregdetare. 

Në këtë vend nuk ka makina dhe as hotele, por mund të qëndroni në shtëpitë vendase. Gjithsej ishulli ka vetëm 100 banorë, kështu që gjetja e një vendi të qetë është shumë e thjeshtë. Sa më lart të ngjiteni përgjatë shkallëve prej guri lave, aq më e thellë është heshtja dhe ikja…

8. Skyros, Greqi

Ishujt grekë si Santorini dhe Mykonos janë gjithmonë plot me turistë gjatë muajve të verës. Për një përvojë më të izoluar në ishujt grekë, mund të vendoseni në ishullin Skyros. Një nga 24 ishujt në zinxhirin kryesisht të pabanuar të ishujve veriperëndimor në Detin Egje. Ishulli ofron plazhe të virgjra për t’u eksploruar, një kështjellë bizantine dhe një natyrë me specie të rralla.

Skyros, Greqi

9. Fasta Åland, Finlandë

Në Gjirin e Bothnias midis Suedisë dhe Finlandës, arkipelagu Åland ka më shumë se 6500 ishuj, nga të cilët vetëm 60 janë të banuar. Fasta Åland është ishulli më i madh në arkipelag dhe një vend ideal për eksplorime. Shëtitje me biçikletë, lëvizje me traget në ishujt e tjerë të afërt ose thjesht çlodhje në një sauna me pamje nga deti.

10. Ishulli Rathlin, Irlanda e Veriut

I shtrirë në brigjet e Irlandës së Veriut është shtëpia e vetëm 150 banorëve, por e mijëra zogjve dhe fokave gri. Një nga gjërat më interesante për t’u bërë në ishull është zhytja nën ujë për të eksploruar një numër të madh anijesh të mbytura gjatë Luftës së Parë Botërore./A2CNN/ KultPlus.com

Të ngjajshme