‘Le Gavroche’, një nga restorantet më të famshme të Britanisë po mbyllet pas 56 vitesh

19 Gusht, 2023 - 8:02 pm

Shefi i kuzhinës Michel Roux Jr ka njoftuar mbylljen në janar 2024 të restorantit të tij në Londër ‘Le Gavroche’, një nga restorantet më të famshëm të Britanisë i cili ishte i pari në Mbretërinë e Bashkuar që iu dha një yll Michelin në 1974.

“Le Gavroche”, në Mayfair, Londër, u hap në vitin 1967 nga francezët Michel dhe Albert Roux, dy vëllezër që vdiqën në 2020 dhe 2021.

Vëllezërit Roux dihet se kanë ndikuar në skenën e ushqimit britanik.

Restoranti, i cili u nderua me tre yje Michelin në 1982 dhe mban dy yje, u mor në 1991 nga djali i Albertit, Michel Roux Jr., i cili është një kuzhinier i njohur në Mbretërinë e Bashkuar.

Është ai që lajmëroi mbylljen e “Gavroche” në Instagram dhe në një intervistë për The Times.

“Jam vërtet i lodhur”, tha kuzhinieri 63-vjeçar për The Times, i cili e përshkroi restorantin si “bastionin e fundit të Londrës së kuzhinës klasike franceze” dhe “një nga restorantet më të famshëm të Britanisë”.

“Kam arritur në një fazë që nuk e shijoj këtë punë si dikur. Është një punë shumë stresuese dhe unë do të doja të gjeja një ekuilibër më të mirë midis jetës sime profesionale dhe personale”, shpjegoi Michel Roux Jr.

“Unë kam qenë në ‘timon’ për 34 vjet, më shumë se babai im”, vazhdoi ai. “Presioni mbi mua për të ofruar cilësinë më të lartë që ka pritur të gjithë ata që hanë në Le Gavroche është kaq rraskapitës. Nuk është vetëm çdo ditë dhe çdo shërbim i ofruar, por çdo pjatë.”

Shefi i kuzhinës theksoi gjithashtu vështirësitë që lidhen me pandeminë Covid dhe Brexit, të cilat “kanë shkaktuar probleme për sa i përket furnizimeve, stafit dhe kostove”.

Michel Roux Jr njoftoi ” një seri darkash festive ” që do të fillojnë në nëntor dhe do të përfundojnë kur restoranti të mbyllet në janar./abcnews/KultPlus.com

Të ngjajshme