Ledia Xhoga, autorja shqiptaro-amerikane në garë për çmimin “Booker Prize 2025”

30 Korrik, 2025 - 10:00 am

Shkrimtarja shqiptaro-amerikane Ledia Xhoga është përfshirë në listën e gjatë të pretendentëve për çmimin prestigjioz “Booker Prize 2025”, me romanin e saj të parë “Keqinterpretimi” (Misinterpretation). Ky është një nga vetëm dy romane debutuese që konkurrojnë këtë vit për çmimin me vlerë 50,000 £ (rreth 67,000 dollarë amerikanë), dhe përfaqëson një moment të veçantë për letërsinë shqiptare në skenën ndërkombëtare.

Romani i Xhogës është vendosur në Nju Jorkun e sotëm dhe ndjek historinë e një përkthyeseje shqiptare, e cila pranon me ngurrim të përkthejë gjatë seancave terapeutike të Alfredit, një të mbijetuar torture nga Kosova. Pavarësisht paralajmërimeve të burrit të saj, ajo përfshihet emocionalisht në botën e ndërlikuar të klientit të saj. Ankthi i Alfredit ngjall tek ajo kujtime të thella dhe të shtypura, ndërsa një përpjekje impulsive për të ndihmuar një poet kurd e çon në një situatë të rrezikshme dhe në një plan të pamatur, përcjellë KultPlus

Ndërsa vendime të pafat fillojnë të grumbullohen, martesa dhe shëndeti i saj mendor lëkunden. Në përpjekje për t’u shkëputur nga gjithçka, ajo udhëton spontanisht në Shqipëri për t’u ribashkuar me nënën e saj, një përballje që e bën të rikthejë në vëmendje jetën që ka ndërtuar në Shtetet e Bashkuara. Kur kthehet në Nju Jork, ajo përballet me pasojat e veprimeve të saj dhe detyrohet të vërë në pikëpyetje kufirin midis realitetit dhe imagjinatës, si dhe të vërtetës dhe keqinterpretimit.

“Keqinterpretimi” është botuar nga Daunt Books Originals dhe është vlerësuar nga kritika për ndjeshmërinë dhe thellësinë emocionale me të cilat trajton temat e traumës, identitetit, përkthimit dhe kujtesës. Përfshirja e Ledia Xhogës në listën e gjatë për çmimin “Booker” përfaqëson një arritje të rëndësishme jo vetëm për autoren, por edhe për letërsinë shqiptare dhe diasporën letrare shqiptare në përgjithësi.

Juria do të shpallë listën e ngushtë me 6 finalistët më 23 shtator 2025, ndërsa fituesi i çmimit do të bëhet publik më 10 nëntor në një ceremoni në Londër./KultPlus.com

Të ngjajshme