Lëshohet në qarkullim emisioni i pullave postare “Evropa 2023-Paqe”

9 Maj, 2023 - 10:55 am

Me rastin e shënimit të Ditës së Evropës, Filatelia e Postës së Kosovës nga sot lëshoi në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare të titulluar “Evropa 2023 – Paqe”.

Thirrja për paqe padyshim i referohet krizave të shumta globale që kanë shkaktuar viktima, shkatërrim dhe migrim të miliona individëve në mbarë globin si rezultat i luftës, persekutimit dhe shkeljes së të drejtave themelore të njeriut.

Prandaj, jo rastësisht, Europa Cept, si temë e përbashkët për vitin 2023, ka përcaktuar temën “Paqe”.

Përcjellja e mesazhit të paqes këtë herë nga artistët kosovarë bëhet përmes krijimit të formave artistike me palosje letre, origami.

Shfaqja e pëllumbit të paqes, që kërkon lirinë nga konfliktet dhe kaosi, por edhe mbështetjen për njëri-tjetrin, pasqyrojnë çelësin e botës në të cilën duam të jetojmë.

Emetimi i pullave postare përbëhet nga pulla postare, blloku filatelik dhe zarfi i ditës së parë që do të jenë në qarkullim postar deri në konsum të plotë. / KultPlus.com

Të ngjajshme