10 Qershor, 2025 - 3:07 pm
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit nisi një cikël takimesh me temë “Letërsia dhe kufijtë” me në fokus letërsinë e qytezave.
Ky cikël nisi nga Vau i Dejës me poetet Valbona Mulaj Lluka dhe Melita Vjerdha, dy poete të cilat jetojnë dhe krijojnë aty. Rita Petro nga Tirana ishte e ftuara speciale e takimit e cila ndau me të pranishmit pikëpamjet e saj mbi letërsinë e sotme dhe jo vetëm. Pjesë e takimit ishin dhe dy poetet e mirënjohura Arjola Zadrima dhe Mimoza Rexhvelaj dhe gjithashtu zonja të qytetit Vau i Dejës të cilat lexuan poezi dhe bashkëbiseduan me poetet e panelit.
QKLL bëri të ditur se takimet e ciklit “Letërsia dhe kufijtë” do të vijojnë përgjatë muajit qershor në Gramsh, Roskovec etj.
Ndërkohë, në mjediset e QKLL u promovua libri më i ri me poezi nga Alban Bala me titull “Puthlutja ime”. Gjatë aktivitetit promovues ishte i pranishëm kritiku Agim Baçi. QKLL e vlerësoi “Puthlutjen” si një vëllim interesant me përjetimet personale të autorit mbi temën e dashurisë, jetës, ekzistencës dhe Zotit. Alban Bala është edhe autor i librave “Orët e shtëpisë” dhe “Ikje nga shtrati”.
Shkëputur nga poezia “Në oborrin e Rushës”:
Të pashë vajzuke, dritë,
veshur në të bardha,
zbrisje shkallët prej guri të kujtesës.
Të prita sa me të thanë “më ka marrë malli”
ti heshte gjer tani dhe unë u zbardha./KultPlus.com