Letra që Saranda Bogujevci ia dërgoi gjyshes më 10 shtator 1999, teksa po shërohej në Mançester

3 Shkurt, 2022 - 10:20 am

Uniformat e lezetshme të shkollës, ditët e ngrohta të Mançesterit dhe salla e refugjatëve, formojnë impresionet e hershme të një jetimeje të shpëtuar nga Kosova. Fragmente këto të shkëputura nga letrat që ajo dërgoi në shtëpi.

Saranda Bogujevci, 22 vjeçare, gëzoi ikjen më të mrekullueshme nga paramilitarët serb, të cilët shpuan trupin e saj me 16 plumba, në masakrën që ndodhi në kopshtin e shtëpisë së saj, në një fshat në Podujevë, më 28 Mars të vitit 1999. Gjashtë anëtarë të familjes së saj u vranë, përfshirë këtu nënën dhe vëllain e saj.

Saranda la gjakderdhjet prapa saj në Prishtinë dhe u vendos në Mançester, ku u shërua nga plagët që kishte marrë. Por tmerri i vrasjes së familjes së saj ende e ndjek atë dhe pas disa vitesh kur ajo u kthye prapë në rajon për të dëshmuar kundër vrasësve.

Më poshtë gjeni letrën që ajo i shkroi gjyshes së saj më 10 shtator 1999, ndërsa po mësohej me ambientin e ri në veri-lindje të Anglisë.

10 SHTATOR 1999

E dashura gjyshe! Kanë kaluar shumë muaj që kur të kam parë dhe shumë gjëra kanë ndodhur qysh atëherë. Dua të tregoj se si përfundova këtu, e shtrirë në spitalin e Mançesterit, në Angli. Të katër kushërinjtë ishim të shtruar në spitalin e Prishtinës. Këtu na sollën disa ushtarë, pasi familja jonë u godit.

Jashtë ishte shumë errët – zi si korbi. Dritat në korridor ishin shumë të zbehta. Brenda ishte shumë qetë. Unë shihja infermieret që endeshin poshtë e lartë nëpër korridor, por nuk shihja asnjë ushtar. Zakonisht korridori ishte i mbushur me ushtarë të dehur e të plagosur. Ata bënin shumë zhurmë, bërtisnin, qeshnin, këndonin, bile ndonjëherë edhe shtinin me armë. Por këtë natë, asgjë e tillë nuk ndodhte.

Në mëngjes, kur erdhi koha që infermieret t’,më zgjonin nga gjumi, asgjë nuk ndodhi. Kështu që unë dhe vajza me të cilën ndaja dhomën e spitalit, u ngritëm të shkojmë në banjo. Ndërsa prisja atë, hodha shikimin nga dritarja dhe pashë shenjat e NATO-s nëpër tanke. Edhe pse isha e lodhur dhe e rraskapitur, vrapova nëpër korridor dhe i tregova kushërirës time, Jehonës. Më bëhej të bërtisja me aq zë sa kisha./ KultPlus.com

Të ngjajshme