“Letrat që nuk më dërgove kurrë”, prezantohet në Qendrën e Librit dhe Leximit

29 Maj, 2025 - 7:23 pm

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit promovoi librin me poezi “Letrat që nuk më dërgove kurrë”, të autores Irena Shabani.

“Poezitë e Irenës janë si tregime të shkurtra. Histori që të kalojnë para syve”, u shpreh profesoresha e Letërsisë, Anila Mullahi e cila interpretoi për pjesëmarrësit poezinë “Arrati”.

Drejtoresha e QKLL, Alda Bardhyli u shpreh se “secili ka një letër të pamarrë kurrë”, siç e thotë dhe titulli i këtij libri, të cilin Irena Shabani e sjell 30 vjet pas librit të saj të parë.

Poezitë e këtij libri janë shkruar në kohë të ndryshme. Ato nuk janë të renditura në mënyrë kronologjike. Autorja thotë se, janë lënë ashtu të lira duke sjellë dhe përplasur ngjyrat e jetës.

Agim Baçi, gazetar dhe kritik letrar u shpreh se, poezia i përket autorit për sa kohë nuk e ka parë dritën e diellit, në momentin që ajo formësohet është e publikut. Më tej, Baçi theksoi rolin e redaktimit si një mungesë në botimet letrare, duke sjellë shembuj nga bota për rolin kyç që një ose më shumë redaktorë kanë në një vepër.

“Letrat që nuk më dërgove kurrë” është një titull që godet dhe çdo lexues e vë në mendime.

“Poezia përdor fjalën për të thënë atë që fjala vetë s’e thotë dot, ajo shkruan në rreshta dhe midis tyre”, u shpreh gjatë këtij promovimi vetë poetja.

Irena Shabani është gazetare, autore, aktiviste e të drejtave të njeriut dhe poete. Ajo është përqendruar në çështje të të drejtave të njeriut, veçanërisht të drejtat e grave dhe në çështjet sociale që shqetësojnë shoqërinë tonë./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme