18 Korrik, 2025 - 10:15 am
Gazetaria moderne shqiptare ka rrënjët në qytetin e Gjirokastrës, ku gjatë periudhës 1920-1930 u botuan gazeta të rëndësishme si “Drita”, “Demokratia”, “Labëria”, “Ideja kombëtare”, dhe të tjera. Këto botime reflektojnë përpjekjet e elitës patriotike gjirokastrite për të promovuar nacionalizmin dhe identitetin shqiptar, duke ndihmuar në zhvillimin kulturor dhe shtetndërtimin e Shqipërisë. Themelimi i shoqërisë “Drita” dhe shkollës “Liria” në 1908 ishin hapa kyç për përhapjen e gjuhës shqipe dhe për krijimin e një publiku letrar që zëvendësoi ndikimin e gjuhëve të huaja dhe forcoi solidaritetin kulturor dhe kombëtar në rajon.
Gazeta e parë në gjuhën shqipe në Gjirokastër ishte “Drita” (1920-1924), me editor Veli Hashorvën, një patriot dhe publicist demokrat. Ai vinte nga një familje e vjetër gjirokastrite dhe kishte nisur veprimtarinë patriotike si anëtar i shoqërisë “Drita” në Gjirokastër në 1908. Në 1911 nisi studimet në Shkenca Politike në Stamboll, por u kthye në Shqipëri më 1912.
Përvoja e Veli Hashorvës si gazetar në SHBA dhe qëllimet e rithemelimit të shtetit shqiptar e nxitën të themelonte gazetën “Drita” në Gjirokastër, me numrin e parë më 27 mars 1920, dy muaj pas Kongresit të Lushnjës dhe në ditën e konstituimit të Këshillit të Lartë. Sipas Veli Hashorvës, emrin “Drita” ia propozoi Petro Poga, ish-ministër i Drejtësisë dhe drejtues i një gazete me të njëjtin emër në Stamboll më 1884. Numri i parë u bë fshehtazi për t’i bërë surprizë popullit, ndërsa ceremonia e hapjes u mbajt në shkollën fillore “Drita” me pjesëmarrjen e qytetarëve dhe autoriteteve lokale. Në fjalimin e tij, Veli Hashorva tha:
“Zotërinj, jam i lumtur pa masë që kam nderin të flas në qytetin tim që jam lindur dhe rritur, për herë të parë përpara një shumice patriotësh, të cilët janë edhe njerëzit më të zgjedhur të Gjirokastrës. Po ajo që më lumturon më tepër është rasti gazmor që shkaktoi këtë mbledhje, i cili do të mbetet i çmuar në historinë e qytetit tonë dhe në jetën time personale”.
Në fillimet e viteve 1920, Shoqëria “Drita” në Gjirokastër u shndërrua në një nga forcat kryesore kulturore dhe politike që përfaqësonte frymën demokratike dhe liberale në rajon. Gjatë zgjedhjeve për organet e larta të pushtetit në vitet 1921 dhe 1923, “Drita” arriti rezultate të rëndësishme, duke forcuar pozicionin e saj në skenën politike lokale dhe kombëtare. Ky angazhim u intensifikua sidomos gjatë Lëvizjes së Qershorit 1924, e njohur edhe si Revolucioni i Qershorit, një moment kyç për përpjekjet demokratike në Shqipëri, ku figura si Fan Noli dhe Ali Këlcyra morën pjesë aktive, përcjellë KultPlus.
Roli i Shoqërisë “Drita” në Gjirokastër është dëshmi e angazhimit të thellë qytetar dhe kulturor për zhvillimin e Shqipërisë demokratike në periudhën e pas Luftës së Parë Botërore. Përmes veprimtarisë së saj, ajo jo vetëm që promovoi vlerat demokratike dhe socialiste, por edhe kontribuoi në ndërtimin e një identiteti kulturor dhe politik që do të ndikonte në drejtimin e mëtejshëm të shtetit shqiptar. Trashëgimia e “Dritës” mbetet një kujtesë e rëndësishme e përpjekjeve qytetare për liri, drejtësi dhe zhvillim kombëtar./KultPlus.com