29 Korrik, 2025 - 3:40 pm
Grupi Këshillimor Teknik i Punës ka bërë prezantimin final të dosjes së nominimit të Liqenit të Shkodrës në UNESCO, si Rezervë Biosfere Ndërkufitare. Prezantimi i dosjes u bë gjatë takimit në mjediset e KUB Piramida.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Shkodër tha se, qëllimi i këtij takimi të fundit ishte, rishikimi i dosjes së nominimit, përpara prezantimit dypalësh (me Malin e Zi) dhe fazën finale, dërgimin në UNESCO për shqyrtim dhe vendimmarrje.
DRTK Shkodër që në vitin 2023 ka qënë pjesë e institucioneve partnere vendore në territorin e Pellgut Ujembledhës të Liqenit të Shkodrës dhe ka dhënë ekspertizën e nevojshme për sa i përket trashëgimisë kulturore në zonën e propozuar për nominim.
Shqipëria dhe Mali i Zi do të paraqesin një dosje të përbashkët. Ky projekt synon të sjellë ndikim pozitiv për komunitetet vendase duke krijuar mundësi të reja për zhvillim të qëndrueshëm, në përputhje me Programin e UNESCO-s për Njeriun dhe Biosferën.
Nëse shpallet zonë e mbrojtur nga UNESCO, Liqeni i Shkodrës do të përfitojë standarde më të larta menaxhimi dhe bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve.
Liqeni i Shkodrës është më i madhi në gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ai cilësohet si një nga qendrat turistike më të rëndësishme të rajonit./atsh/