4 Gusht, 2025 - 11:58 am
Më 4 gusht 1922, lindi futbollisti i shquar i kombëtares, Loro Boriçi.
Në qytetin e lindjes, Shkodër, ndoqi Kolegjin Saverian. Shtatlarti prej 1,87 m debutoi në futboll në moshën 14-vjeçare, me fanellën e ekipit të vendlindjes, “Vllaznisë” kundër ekipit të “Dragoit” të qytetit të Pogradecit. Në vitin 1939 shpalosi dimensionin e një sulmuesi të pandalshëm, duke u bërë një ndër futbollistët më të njohur dhe më të dashur për publikun shqiptar, kur shënoi 3 gola në vetëm 4 minuta në ndeshjen kundër “Spartakut” të Tiranës.
Më pas nisi edhe një aventurë përtej Adriatikut, ku luajti për dy vite në Serinë A, me ekipin e Lazio-s.
“Ylli në ngjitje” do të kthehej sërish në fushën e gjelbër shqiptare, ku si lojtar i kombëtares ngadhënjeu me arritjen më të madhe të kohës, fitoren e Kupës së Ballkanit, më 1946.
Gjatë 20 viteve të karrierës, Boriçi do të luante për Partizanin, Vllazninë dhe Spartakun e Tiranës. Sulmuesi veteran do të tërhiqej nga fusha për të marrë përsipër rolin e trajnerit. Boriçi drejtoi kombëtaren e Shqipërisë, Spartakun e Tiranës, Partizanin, Lokomotivën e Durrësit dhe për disa vite edhe kombëtaren e Republikës Popullore të Kinës./atsh/KultPlus.com