30 Korrik, 2025 - 9:31 pm
Galeria e Artit Digjital në Korçë (GAD) sjell këtë fundjavë ekspozitën multimediale instalative “Lost in Generations” (LIG).
LIG është një projekt artistik, një thirrje për reflektim mbi marrëdhëniet mes brezave dhe mënyrën sesi e shohim të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Ky projekt vjen si bashkëpunim i Satellite Zone dhe Galerisë së Artit Digjital në Korçë.
Ekspozita sjell përvoja dhe histori të vërteta njerëzore, duke u fokusuar në lidhjet, boshllëqet dhe kontradiktat mes brezave. Ajo eksploron kujtesën, trashëgiminë dhe emocionet që na formësojnë si individë dhe si shoqëri.
GAD fton të gjithë artdashësit të përfshihen në këtë eksperiencë të re, që të bën të humbasësh e njëkohësisht të rigjesh veten mes historive të kaluara e të tashme.
Ekspozita do të çelet pasditen e së premtes (1 gusht), me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./ atsh/ KultPlus.com