Lulzim Tafa nderohet me urdhërin “Yuri i shenjtë Fitimtar” nga Patriarku i Ukrainës

5 Tetor, 2022 - 4:00 pm

Poeti Lulzim Tafa ka njoftuar se partiarku i shenjtë i Ukrainës Filaret e ka nderuar me urdhërin “Yuri i shenjtë Fitimtar”, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur Tafa përmes një postimi në “Facebook”, ku thotë se ndihet i nderuar për këtë, ku përmes fjalës si “armë” kryesore në luftën që po ndodh në Ukrainë, ka ndikuar qoftë edhe pak me poezitë dhe shkrimet e tij.

Postimi i tij i plotë:

“Unë nuk kam bërë asgjë për Ukrainën, poezia dhe ato letra ishin vetëm një klithje. Të nderuar miq, me dekretin Nr.702 Patriarku i Shenjtë i Ukrainës Filaret më paska nderuar me urdhrin “Yuri i shenjtë Fitimtar”. Patriarku është udhëheqësi shpirtëror i miliona Ukrainasve dhe personaliteti me ndikimin më të madh në Ukrainë, bashkë me Presidentin Zelenski. Para kësaj, unë jam nderuar edhe nga disa institucione akademike e kulturore atje. Unë nuk bëra asgjë për Ukrainën, vetëm shkrova disa vargje dhe iu drejtova poetëve me disa letra, kaq munda dhe kaq bëra. Fjala ishte e vetmja armë që kisha për ta drejtuar kundër kësaj lufte. Populli i Ukrainës po përjeton momente të vështira dhe duket se edhe fuqia e fjalës u ka mjaftuar për të më bërë gjithë këto nderime. Një mik imi poet në Kiev më tha se gjatë liturgjisë kryesore në lutjet e javës, në mesin e personaliteteve botërore, për të cilët besimtarët janë lutur atje, ka qene edhe emri im. Kjo më ka nderuar më shumë se çdo gjë tjetër”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com

Të ngjajshme