Lumi Vjosa, zemra e Parkut Kombëtar, pushtohet nga turistët këtë verë

30 Korrik, 2025 - 9:34 am

Brigjet e lumit Vjosë, tashmë zemra e Parkut të parë Kombëtar të Lumenjve në Europë, po mbushen çdo ditë e më shumë me vizitorë nga e gjithë bota. Nga dashamirët e natyrës e deri te aventurierët me kanoe, Vjosa po shndërrohet në një prej destinacioneve më të kërkuara për ekoturizëm në rajon.

Me rrjedhën e saj të lirë që përshkon kanione spektakolare, pyje të dendur dhe fusha të gjelbra, Vjosa është cilësuar nga ekspertët si “lumi i fundit i egër në Europë” – një mrekulli natyrore që ka shpëtuar nga ndërhyrjet industriale dhe që ruan një biodiversitet të jashtëzakonshëm.

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë sot në rrjetet sociale foto nga brigjet e Vjosës të mbushura me turistë vendas e të huaj, duke theksuar vlerat natyrore dhe potencialin që ky park ka për të nxitur turizmin e qëndrueshëm në Shqipëri.

“Vjosa nuk është vetëm një lum, por një pasuri kombëtare dhe europiane. Ruajtja e saj është një investim për të ardhmen e gjelbër të vendit,” – është shprehur ndër të tjera Kryeministri në postimin e tij.

Turistët, të tërhequr nga bukuritë e paprekura dhe mundësitë për aktivitete si eksplorimet me kanoe, kampingjet ekologjike dhe shëtitjet në natyrë, e shohin Vjosën si një oaz të rrallë autenticiteti dhe qetësie larg betonit dhe zhurmës së qytetit.

Autoritetet vendore dhe organizatat mjedisore janë të angazhuara për të ruajtur këtë pasuri natyrore përmes menaxhimit të qëndrueshëm dhe edukimit të vizitorëve mbi rëndësinë e mbrojtjes së ekosistemit unik të lumit./KultPlus.com

Të ngjajshme