Macron: Kushtet e Putinit janë të papranueshme

10 Mars, 2022 - 8:16 pm

Presidenti i Francës Emanuel Macron ka thënë sot se kushtet e vëna nga presidenti rus, Vladimir Putin, për arritjen e armëpushimit në Ukrainë, nuk janë të pranueshme.

“Nuk shoh zgjidhje diplomatike në orët apo ditët në vijim”, ka thënë Macron, gjatë një bisede me gazetarë në Versajë, përpara një samiti të liderëve të Bashkimit Evropian, që do ta adresojë pushtimin rus të Ukrainës, zgjidhjen për rritjen e vazhdueshme të energjisë elektrike dhe pavarësimin nga furnizimi me gaz e naftë ruse.

Putin i kishte prezantuar Macronit kushtet për zgjidhjen e situatës në Ukrainë, që përfshinin çmilitarizimin dhe denazifikimin i Ukrainës, statusin e saj neutral dhe njohjen e Krimesë ruse nga Kievi.

Macron nuk ka shfaqur shpresa se një marrëveshje armëpushimi do të arrihet në Ukrainë gjatë orëve në vijim.

“Definitivisht, jam optimist por më duhet të jem gjithashtu edhe realist”, ka thënë ai.

Macron ka folur edhe për kërkesën e Ukrainës për anëtarësim të shpejtë në BE.

“Me një shtet në luftë? S’ma do mendja… por a duhet ta mbyllim derën dhe të themi ‘kurrë’? Kjo do të ishte e padrejtë”, ka thënë Macron.

Sipas Macron, lufta në Ukrainë “është tragjedi njerëzore, politike dhe humanitare”.  Ai ka thënë se kjo ngjarje do të çojë në ridefinimin e pozicioneve dhe politikave në Evropë. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme