Maltina Jashari, garuesja e parë femër shqiptare në Formula, viziton Ferizajn

22 Gusht, 2025 - 9:45 pm

Maltina Jashari, me prejardhje nga Ferizaj dhe e lindur e rritur në Manchester, Mbretëri e Bashkuar, ka shënuar histori si garuesja e parë femër shqiptare në Formula. Ajo përfaqësoi për herë të parë Republikën e Kosovës në gara ndërkombëtare dhe ngriti flamurin tonë, duke bërë krenar jo vetëm vendin, por edhe komunitetin shqiptar në diasporë.

Maltina është një shembull frymëzimi për të rinjtë në Kosovë dhe Manchester, duke kombinuar sportin me studimet. Ajo ndjek Inxhinieri Arkitekturore në Mbretërinë e Bashkuar, krahas karrierës së saj në Formula 4, duke treguar se pasioni dhe përkushtimi mund të shkojnë paralelisht.

Sot, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, e priti Maltinën në një takim të veçantë dhe e përgëzoi për sukseset e saj të jashtëzakonshme. Ai theksoi se arritjet e Maltinës janë një burim frymëzimi për të rinjtë e qytetit dhe një shembull i qartë i kombinimit të talentit, disiplinës dhe punës së palodhur.

Ky takim shënon një moment të veçantë për Ferizajn dhe Kosovën, duke reflektuar fuqinë e të rinjve shqiptarë që arrijnë të bëjnë krenar kombin në arenën ndërkombëtare./KultPlus.com

Të ngjajshme