Manastirliu: 100 të rinj vullnetarë pjesë e shkollës verore

22 Qershor, 2025 - 6:55 pm

100 të rinj vullnetarë nga gjimnazet e Tiranës, Durrësit dhe Kamzës janë bërë pjesë e shkollave verore, të cilat po pilotohen në 10 shkolla në këto bashki.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ndau sot në rrjetet sociale dëshmitë e disa prej vullnetareve të angazhuara në këtë program të cilat tregojnë se sa u shërben kjo eksperiencë e re.

“Duke u kujdesur për më të vegjlit dhe duke i udhëhequr në aktivitete artistike, sportive e kulturore, ndërsa vetë marrin një përvojë që do t’u vlejë gjithë jetën”, u shpreh Manastirliu.

Shkolla verore nisi më 16 qershor për nxënësit e klasave I-V për një periudhë dyjavore.

Këtë vit shkolla verore pilotohet për herë të parë për 1 mijë nxënës, të cilët do të përfitojnë nga shërbimet dhe programet e larmishme që do të ofrohen në këto shkolla.

Shkollat ku po pilotohet ky program janë: “Emin Duraku”, “Kosova”, “Lasgush Poradeci”, “Avni Rustemi”, “Andrea Stefani”, “Kiço Blushi”, “Qazim Turdiu”, “Klodian Tanushi” në Tiranë, “Halit Çoka” në Kamëz dhe “Eftali Koçi” në Durrës./ KultPlus.com

Të ngjajshme