Margariti: Mirënjohje Kadri Roshit, pa të cilin skena dhe ekrani nuk do ishin të njëjtët

5 Mars, 2022 - 9:00 pm

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti kujtoi aktorin e madh Kadri Roshi, në kuadër të muajit të Teatrit.

“Mirënjohje për aktorin e madh Kadri Roshi, pa të cilin skena dhe ekrani shqiptar nuk do të ishin të njëjtët”, shprehet Margariti.

Kadri Roshi lindi më 4 janar 1924 dhe u nda nga jeta më 6 shkurt 2007 në Tiranë. Përfundoi studimet e larta në Pragë në vitin 1951. Ai e filloi karrierën e tij si aktor në Teatrin Popullor në moshën 21-vjeçare duke qenë një ndër krijuesit e këtij teatri. Që nga ajo kohë ai numëron rreth 180 role në skenë dhe kinematografi.

Nga shumëkush është konsideruar si legjendë e skenës dhe ekranit shqiptar. Ai ka qenë një aktor brilant me një talent të lindur. Në vitin 1995 është nderuar me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik, në vitin 1997 me Çmimin e Madh të Nderit.

Ai është “Nderi i Kombit” nga viti 1999. Emri i Kadri Roshit do të kujtohet gjithnjë si kolos për filmin dhe teatrin shqiptar, ku ai luajti role dhe figura të spikatura, që nuk do të harrohen kurrë./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme