Margariti: Restaurimi i shtëpisë-muze të shkrimtarit Sterio Spasse, frut i bashkëpunimit me Shkupin

17 Mars, 2022 - 11:32 am

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti zhvilloi një takim me  homologen e Maqedonisë së Veriut, Bisera Kostadinovska-Stojchevska.

Margariti u shpreh se në takim u fol mbi bashkëpunimin dypalësh në fushën e kulturës dhe në organizimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërkufitare.

“Restaurimi i shtëpisë-muze të shkrimtarit Sterio Spasse është frut i këtij bashkëpunimi e ky shembull do të shtrihet edhe më tej”, theksoi ministrja Margariti.

“Një rast i tillë është edhe Muzeu i Alfabetit Shqip në Manastir dhe aktivitetet që do të mund të zhvillojmë në hapësirat shqipfolëse”, shtoi më tej Margariti.

Margariti theksoi se, “biseda u përqendrua edhe në punën e Komitetit Ndërshtetëror të Menaxhimit të pasurisë sonë të përbashkët dhe plotësimin e rekomandimeve të UNESCO-s për menaxhimin e Rajonit të Liqenit të Ohrit”.

“Bashkëpunimi në fushën e trashëgimisë kulturore dhe rikthimi i disa ikonave të bllokuara në Shqipëri, në vendin e origjinës ishin të tjera çështje të bisedimeve tona, që do të konkretizohen shumë shpejt”, tha Margariti./ KultPlus.com

Të ngjajshme