Marigo Pozio, vajza që qëndisi flamurin e Pavarësisë

23 Gusht, 2025 - 11:26 am

Si sot, 93 vjet më parë, u nda nga jeta Marigo Pozio, gruaja simbol e Pavarësisë së Shqipërisë dhe e flamurit shqiptar. Ajo lindi në Hoçisht të Korçës, më 2 shkurt të vitit 1878. Punoi për përhapjen e shkollave shqipe, si edhe për zhvillimin e ndërgjegjes kombëtare.

Në vitin 1908, u bë anëtare e klubit “Labëria” (klub i cili kishte për qëllim ngritjen e shkollave shqipe dhe nxitjen e ndjenjës atdhetare). Mori pjesë në organizimin e orkestrës së klubit, ku u aktivizuan edhe dy vajzat e saj. U dallua për fjalimet me frymë patriotike përpara popullit dhe për artikujt e botuar në organet e shtypit shqiptar të mërgimit.

Marigo Pozio qëndisi flamurin që u ngrit ditën e Shpalljes së Pavarësisë. Ishte veprimtare e palodhur dhe luftëtare për emancipimin e grave. Bashkë me një nga vajzat e saj, organizuan shoqërinë e parë të grave (1914) në qytetin e Vlorës. U vu në krye të komisionit për mbledhjen e ndihmave për luftëtarët dhe për të shpërngulurit e krahinave jugore, të pushtuara nga trupat greke më 1914.

Më 1921, riorganizoi shoqërinë e grave “Shpresa Kombëtare” në Vlorë dhe drejtoi gazetën e saj me të njëjtin emër, në të cilën botoi artikuj për zhvillimin dhe emancipimin e femrës.

U nda nga jeta në Tiranë, më 23 gusht 1932.

Burimi nga: Llambi Durolli, Fatmira Musaj, Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Nr. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2009, faqe 2077.

Të ngjajshme