‘Marsi’ në ankand/ Meteoridi 25 kilogramësh do të shitet për 2 deri në 4 milion dollarë

13 Korrik, 2025 - 7:24 pm

Një nga sendet më të rralla që është zbuluar ndonjëherë në Tokë do të dalë në ankand të mërkurën në New York. Bëhet fjalë për një meteorid 25 kilogramësh, i njohur si NWA 16788, i cili besohet se është fragmenti më i madh i Marsit i gjetur ndonjëherë në planetin tonë.

Shtëpia e ankandeve Sotheby’s ka vlerësuar çmimin e tij nga 2 deri në 4 milionë dollarë.
Ky shkëmb i jashtëzakonshëm, me ngjyra të kuqe, kafe dhe gri, besohet se është flakur nga sipërfaqja e Marsit pas një goditjeje të fuqishme nga një asteroid dhe ka përshkuar rreth 225 milionë kilometra për të rënë në shkretëtirën e Saharës, në Niger, në nëntor të vitit 2023.

Sipas Sotheby’s, meteori përbën rreth 7% të të gjithë materialit marsian të njohur në Tokë dhe është 70% më i madh se fragmenti i dytë më i madh i gjetur deri më sot. Testimet laboratorike kanë konfirmuar se ai ka përbërje identike me shkëmbinjtë marsianë të studiuar nga sonda “Viking” në vitin 1976.

Në të njëjtin ankand do të dalë edhe një tjetër zbulim mbresëlënës: skeleti i një Ceratosauri të ri, një dinozaur që jetoi rreth 150 milionë vite më parë. Skeleti, i cili është mbi 2 metra i lartë dhe afro 3.5 metra i gjatë, u zbulua në vitin 1996 në Wyoming të SHBA-së dhe është rikonstruktuar me përpikmëri nga ekspertët.

Ky ankand është pjesë e “Javës së Geek-ut 2025” në Sotheby’s dhe përfshin gjithashtu fosile, meteorë dhe minerale të rralla. Pasioni për historinë natyrore dhe shkencën po tërheq gjithnjë e më shumë koleksionistë që janë gati të paguajnë miliona për të pasur një copëz nga universi ose nga koha e dinozaurëve./abcnews.al/ KultPlus.com

Të ngjajshme